Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 32:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Mbas këtyre gjërave dhe këtyre veprimeve besnikërie të Ezekias, Senakeribi, mbret i Asirisë, erdhi, hyri në Judë dhe rrethoi qytetet e fortifikuara, me qëllim që t'i pushtonte.

2. Kur Ezekia pa që Senakeribi kishte ardhur me qëllim që të sulmonte Jeruzalemin,

3. vendosi me komandantët e tij dhe me trimat e tij të mbyllnin ujërat e burimeve që ndodheshin jashtë qytetit; dhe ata e ndihmuan në këtë punë.

4. Kështu u mblodh një numër i madh njerëzish, të cilët i zunë të gjitha burimet dhe përroin që rridhte nëpër vend, duke thënë: "Pse mbreti i Asirisë duhet të vijë dhe të gjejë ujë me shumicë?".

5. Atëherë Ezekia mori guxim, rindërtoi të gjitha muret e rrëzuara, ngriti kulla dhe përjashta ndërtoi një mur të jashtëm; gjithashtu ai fortifikoi Milon në qytetin e Davidit dhe urdhëroi të bëheshin shumë ushta dhe mburoja.

6. Caktoi komandantë ushtarakë mbi popullin, i mblodhi rreth vetes në sheshin e qytetit dhe i foli zemrës së tyre, duke thënë:

7. "Tregohuni të fortë dhe trima! Mos kini frikë dhe mos u tronditni para mbretit të Asirisë dhe para morisë që është me të, sepse me ne është një më i madh nga ai që ndodhet me të.

8. Me të është një krah prej mishi, por me ne është Zoti, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar në betejat tona". Populli u qetësua nga fjalët e Ezekias, mbretit të Judës.

9. Mbas kësaj Senakeribi, mbret i Asirisë, ndërsa ndodhej me të gjitha forcat e tij përballë Lakishit, dërgoi shërbëtorët e tij në Jeruzalem për t'i thënë Ezekias, mbretit të Judës, dhe të gjithë atyre të Judës që ndodheshin në Jeruzalem:

10. "Kështu flet Senakeribi, mbret i asirëve: Ku e mbështetni besimin që qëndroni të rrethuar në Jeruzalem?

11. A nuk po ju gënjen Ezekia me qëllim që të vdisni nga uria dhe nga etja, duke thënë: "Zoti, Perëndia ynë, do të na çlirojë nga duart e mbretit të Asirisë"?

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 32