13. Një turmë e madhe u mblodh në Jeruzalem për të kremtuar festën e të Ndormëve gjatë muajit të dytë; ishte një kuvend shumë i madh.
14. U ngritën dhe zhdukën altarët që ishin në Jeruzalem; zhdukën gjithashtu tërë altarët e temjanit dhe i hodhën në përroin e Kidronit.
15. Pastaj flijuan Pashkën, ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe levitët, plot turp, u shenjtëruan dhe ofruan holokauste në shtëpinë e Zotit.
16. Ata zunë vendet që u përkisnin sipas normave të përshkruara nga ligji i Moisiut, njeriut të Perëndisë. Priftërinjtë spërkatnin gjakun, që merrnin nga duart e levitëve.
17. Duke qenë se shumë njerëz të asamblesë nuk ishin shenjtëruar, levitët kishin për detyrë t'i flijonin qengjat e Pashkës për tërë ata që nuk ishin të pastër, për t'ia shenjtëruar Zotit.
18. Në të vërtetë një pjesë e madhe e popullit, shumë nga Efraimi, nga Manasi, nga Isakari dhe nga Zabuloni nuk ishin pastruar, dhe e hëngrën njëlloj Pashkën, duke vepruar ndryshe nga sa ishte shkruar. Por Ezekia u lut për ata, duke thënë: "Zoti, që është i mirë, të falë cilindo
19. që ia ka kushtuar zemrën e tij të kërkojë Perëndinë, Zotin, Perëndinë e etërve të tij, edhe pa pastrimin që kërkon shenjtërorja".
20. Dhe Zoti dëgjoi Ezekian dhe shëroi popullin.