Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 28:9-19 Bibla Shqip (ALBB)

9. Por aty ishte një profet i Zotit, që quhej Obed. Ai doli para ushtrisë që po kthehej në Samari dhe tha: "Ja, me qenë se Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ishte i zemëruar me Judën, ju dha ata në duart tuaja, por ju i vratë me tërbim, që arriti deri në qiell.

10. Dhe tani doni t'i nënshtroni, si skllevërit tuaj dhe skllavet tuaja, bijtë dhe bijat e Judës dhe të Jeruzalemit. Por në realitet a nuk jeni fajtorë ju vetë përpara Zotit, Perëndisë tuaj?

11. Dëgjomëni, pra, dhe kthejini robërit që keni zënë midis vëllezërve tuaj, sepse përndryshe zemërimi i zjarrtë i Zotit do të bjerë mbi ju".

12. Atëherë disa nga krerët e bijve të Efraimit, Azariahu, bir i Johananit, Berekiahu, bir i Meshilemothit, Ezekia, bir i Shalumit, dhe Amasa, bir i Hadlait, u ngritën kundër atyre që ktheheshin nga lufta,

13. dhe u thanë: "Ju nuk do t'i sillni këtu robërit, sepse mbi ne rëndon tanimë një faj kundër Zotit; ajo që keni ndër mend të bëni do t'i shtojë edhe më tepër mëkatet dhe fajin tonë, sepse faji ynë është mjaft i madh dhe një zemërim i zjarrtë i kërcënohet Izraelit".

14. Atëherë ushtarët i lanë robërit dhe plaçkën përpara komandantëve dhe tërë asamblesë.

15. Pastaj disa njerëz të thirrur me emër u ngritën dhe morën robërit dhe me rrobat e plaçkës veshën tërë ata që ishin lakuriq; u dhanë rroba dhe sandale, për të ngrënë dhe për të pirë dhe i vajosën; pastaj i mbartën tërë të dobëtit mbi gomarë dhe i çuan në Jeriko, qyteti i palmave, pranë vëllezërve të tyre, pastaj u kthyen në Samari.

16. Në atë kohë mbreti Ashaz shkoi t'i kërkojë ndihmë mbretit të Asirisë.

17. Edomitët kishin ardhur përsëri, kishin mundur Judën dhe kishin marrë me vete robërit.

18. Filistenjtë kishin pushtuar edhe qytetet e fushës dhe të Negevit të Judës dhe kishin marrë Beth-Shemeshin, Ajalonin, Gederothin, Sokon me fshatrat e tij, Timnahun me fshatrat e tij, Gimzon me fshatrat e tij, dhe ishin vendosur aty.

19. Zoti në fakt kishte poshtëruar Judën për shkak të Ashazit, mbretit të Izraelit, që kishte nxitur rënien morale në Judë dhe kishte kryer mëkate të rënda kundër Zotit.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 28