Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 26:3-14 Bibla Shqip (ALBB)

3. Uziahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi.

4. Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte bërë Amatsiahu, i ati.

5. Ai kërkoi Perëndinë gjatë jetës së Zakarias, që kuptonte vegimet e Perëndisë; dhe përderisa kërkoi Zotin, Perëndia e begatoi.

6. Ai doli dhe luftoi kundër filistenjve, rrëzoi muret e Gathit, muret e Jabnehut dhe muret e Ashdodit, dhe ndërtoi qytete në afërsi të Ashdodit dhe midis filistenjve.

7. Perëndia e ndihmoi kundër filistenjve, kundër arabëve që banonin në Gur-Baal dhe kundër meunitëve.

8. Amonitët i paguanin Uziahut një haraç; fama e tij qe përhapur deri në kufijtë e Egjiptit; sepse ishte bërë shumë i fuqishëm.

9. Uziahu ndërtoi gjithashtu kulla në Jeruzalem në portën e Qoshes, në portën e Luginës dhe mbi Qoshen e mureve dhe i fortifikoi këto.

10. Ai ndërtoi kulla edhe në shkretëtirë dhe gërmoi shumë puse, sepse kishte një numër të madh bagëtish, si në pjesën e poshtme të vendit ashtu dhe në fushë; kishte gjithashtu bujq dhe vreshtarë në malet dhe në Karmel, sepse e donte tokën.

11. Uziahu kishte gjithashtu një ushtri luftëtarësh që shkonte në luftë në formacion, sipas numrit të regjistruar nga sekretari Jeiel dhe nga komisari Maaseiah nën urdhrat e Hananiahut, një nga kapitenët e mbretit.

12. Numri i përgjithshëm i të parëve të shtëpive atërore, njerëzve të fortë dhe trima, ishte dy mijë e gjashtëqind veta.

13. Nën komandën e tyre ndodhej një ushtri prej treqind e shtatë mijë e pesëqind njerëz të aftë të luftojnë me trimëri të madhe, për të ndihmuar mbretin kundër armikut.

14. Uziahu i furnizoi ata, domethënë tërë ushtrinë, me mburoja, ushta, përkrenare, parzmore, harqe dhe hobe për të hedhur gurë.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 26