Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 26:1-10 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj tërë populli i Judës mori Uziahun, që ishte atëherë gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe e bëri mbret në vend të atit të tij, Amatsiahut.

2. Ai ndërtoi Elathin dhe ia ripushtoi Judës, mbasi mbretin e pushoi bashkë me etërit e tij.

3. Uziahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi.

4. Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte bërë Amatsiahu, i ati.

5. Ai kërkoi Perëndinë gjatë jetës së Zakarias, që kuptonte vegimet e Perëndisë; dhe përderisa kërkoi Zotin, Perëndia e begatoi.

6. Ai doli dhe luftoi kundër filistenjve, rrëzoi muret e Gathit, muret e Jabnehut dhe muret e Ashdodit, dhe ndërtoi qytete në afërsi të Ashdodit dhe midis filistenjve.

7. Perëndia e ndihmoi kundër filistenjve, kundër arabëve që banonin në Gur-Baal dhe kundër meunitëve.

8. Amonitët i paguanin Uziahut një haraç; fama e tij qe përhapur deri në kufijtë e Egjiptit; sepse ishte bërë shumë i fuqishëm.

9. Uziahu ndërtoi gjithashtu kulla në Jeruzalem në portën e Qoshes, në portën e Luginës dhe mbi Qoshen e mureve dhe i fortifikoi këto.

10. Ai ndërtoi kulla edhe në shkretëtirë dhe gërmoi shumë puse, sepse kishte një numër të madh bagëtish, si në pjesën e poshtme të vendit ashtu dhe në fushë; kishte gjithashtu bujq dhe vreshtarë në malet dhe në Karmel, sepse e donte tokën.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 26