Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 25:2-10 Bibla Shqip (ALBB)

2. Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, por jo me gjithë zemër.

3. Mbasi përforcoi mbretërinë e tij, ai vrau shërbëtorët e tij që kishin vrarë mbretin, atin e tij.

4. Megjithatë ai nuk i vriste bijtë e tyre, por veproi siç është shkuar në ligj në librin e Moisiut, të cilin Zoti e urdhëroi duke thënë: "Etërit nuk do të vriten për fajin e bijve të tyre, dhe as bijtë e tyre nuk do të vriten për fajin e etërve; por secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet".

5. Përveç kësaj Amatsiahu mblodhi ata të Judës dhe caktoi mbi ta komandantët e mijësheve dhe të qindësheve sipas shtëpive të tyre atërore, për tërë Judën dhe Beniaminin; pastaj bëri regjistrimin nga njëzet vjeç e lart dhe doli që ishin treqind mijë burra të zgjedhur, të aftë për luftë dhe të zotë të përdorin ushtën dhe mburojën.

6. Rekrutoi gjithashtu me para njëqind mijë burra nga Izraeli, të fortë dhe trima, për njëqind talenta argjendi.

7. Por një njeriu i Perëndisë erdhi tek ai dhe i tha: "O mbret, ushtria e Izraelit të mos vijë me ty, sepse Zoti nuk është me Izraelin, as me ndonjë nga bijtë e Efraimit!

8. Por në rast se dëshiron të shkosh, shko megjithatë; edhe po të tregohesh trim në betejë, Perëndia do të të bëjë të biesh para armikut, sepse Perëndia ka pushtet të ndihmojë dhe të të bëjë që të biesh".

9. Amatsiahu i tha atëherë njeriut të Perëndisë: "Por çdo t'i bëj njëqind talentat që ia dhashë ushtrisë së Izraelit?". Njeriu i Perëndisë u përgjigj: "Zoti mund të të japë më tepër se aq".

10. Atëherë Amatsiahu e shpërndau ushtrinë që kishte ardhur tek ai nga Efraimi, me qëllim që të kthehej në shtëpi të saj; por zemërimi i pjesëtarëve të saj u rrit shumë kundër Judës dhe ata u kthyen në shtëpi me një zemërim të madh.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 25