Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 25:17-28 Bibla Shqip (ALBB)

17. Atëherë Amatsiahu, mbret i Judës, pasi u këshillua, dërgoi t'i thotë Joasit, birit të Jehoahazit, birit të Jehut, mbret i Izraelit: "Eja të ballafaqohemi njëri me tjetrin në betejë".

18. Por Joasi, mbret i Izraelit, dërgoi t'i thotë Amatsiahut, mbretit të Judës: "Gjembi i Libanit i çoi fjalë cedrit të Libanit: "Jepi vajzën tënde për grua birit tim". Por një kafshë e egër e Libanit kaloi andej dhe e shkeli gjembin.

19. Ti ke thënë: "Ja, unë kam mundur Edomin", dhe zemra jote të ka bërë krenar aq sa të mburresh. Rri në shtëpinë tënde. Pse kërkon të shkaktosh fatkeqësi, duke shkatërruar veten tënde dhe Judën bashkë me ty?".

20. Por Amatsiahu nuk e dëgjoi; kjo gjë vinte në të vërtetë nga Perëndia, me qëllim që të jepeshin në dorën e armikut, sepse kishin kërkuar perënditë e Edomit.

21. Kështu Joasi, mbret i Izraelit, doli kundër Judës; dhe ai dhe Amatsiahu, mbret i Judës, u ndeshën me njëri-tjetrin në Beth-Shemesh që i përkiste Judës.

22. Juda u mund nga Izraeli, dhe secili ia mbathi në çadrën e vet.

23. Joasi, mbret i Izraelit, zuri në Beth-Shemesh Amatsiahun, mbretin e Judës, birin e Joasit, bir i Jehoahazit; e çoi në Jeruzalem dhe bëri një të çarë prej katërqind kubitësh në muret e Jeruzalemit që nga porta Efraimit deri te porta e Qoshes.

24. Mori tërë arin dhe argjendin dhe të gjitha sendet që gjendeshin në shtëpinë e Perëndisë, që i ishin besuar Obed-Edomit, thesaret e pallatit mbretëror dhe disa pengje, pastaj u kthye përsëri në Samari.

25. Amatsiahu, bir i Joasit, mbretit të Judës, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet mbas vdekjes së Joasit, birit të Jehoahazit, mbret i Izraelit.

26. Pjesa tjetër e bëmave të Amatsiahut, nga të parat gjer në ato të fundit, a nuk janë të shkruara vallë, në librin e mbretërve të Judës dhe të Izraelit?

27. Mbas largimit të Amatsiahut nga Zoti, u kurdis kundër tij një komplot në Jeruzalem; ai iku në Lakish, por e ndoqën deri në Lakish dhe aty e vranë.

28. E ngarkuan pastaj mbi kuaj dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në qytetin e Judës.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 25