Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 24:14-25 Bibla Shqip (ALBB)

14. Kur kishin mbaruar, paratë që mbetën i çuan para mbretit dhe Jehojadës dhe me to bënë orendi për shtëpinë e Zotit, orendi për shërbimin dhe për holokaustet, kupa dhe vegla të tjera prej ari ose argjendi. Derisa jetoi Jehojada, u ofruan vazhdimisht holokauste në shtëpinë e Zotit.

15. Por Jehojada, tanimë i plakur dhe i ngopur me ditë, vdiq; ai ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur vdiq;

16. e varrosën në qytetin e Davidit bashkë me mbretërit, sepse kishte bërë të mira në Izrael, ndaj Perëndisë dhe ndaj shtëpisë së tij.

17. Mbas vdekjes së Jehojadës, krerët e Judës shkuan dhe ranë përmbys përpara mbretit; dhe mbreti i dëgjoi.

18. Pastaj ata braktisën shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, dhe u shërbyen Asherimëve dhe idhujve; për shkak të këtij mëkati, zemërimi i Perëndisë ra mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin.

19. Zoti u dërgoi atyre profetë për t'i bërë të kthehen tek ai; këta dëshmuan kundër tyre, por ata nuk deshën t'i dëgjojnë.

20. Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Zakarian, birin e priftit Jehojada, që u ngrit përpara popullit dhe tha: "Kështu thotë Perëndia: Pse shkelni urdhërimet e Zotit dhe nuk keni mbarësi? Meqë e keni braktisur Zotin edhe ai do t'ju braktisë".

21. Por ata komplotuan kundër tij dhe me urdhër të mbretit, e vranë me gurë në oborrin e shtëpisë të Zotit.

22. Kështu mbreti Joas nuk e kujtoi mirësinë që Jehojada, ati i Zakarias, kishte treguar ndaj tij dhe ia vrau të birin, i cili duke vdekur tha: "Zoti e shikoftë dhe të kërkoftë llogari!.

23. Kështu ndodhi që, në fillim të vitit të ri, ushtria e sirëve doli kundër Joasit. Ata erdhën në Judë dhe në Jeruzalem dhe shfarosën nga populli tërë krerët e tij, dhe tërë plaçkën ia çuan mbretit të Damaskut.

24. Megjithëse ushtria e sirëve kishte ardhur me pak veta, Zoti u dha në dorë një ushtri shumë të madhe, sepse kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre. Kështu ata e gjykuan Joasin.

25. Kur sirët u tërhoqën nga ai (sepse e kishin lënë shumë të sëmurë), shërbëtorët e tij kurdisën një komplot kundër tij, për shkak të vrasjes së bijve të priftit Jehojada, dhe e vranë në shtratin e tij. Kështu ai vdiq dhe e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 24