Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 20:5-18 Bibla Shqip (ALBB)

5. Pastaj Jozafati u ngrit më këmbë në mes të asamblesë së Judës dhe të Jeruzalemit në shtëpinë e Zotit përpara oborrit të ri

6. dhe tha: "O Zot, Perëndia i etërve tanë, a nuk je ti Perëndia që është në qiell? Po, ti sundon mbi të gjitha mbretëritë e kombeve, në duart e tua janë forca dhe fuqia dhe nuk ka njeri që mund të të rezistojë.

7. A nuk ke qenë ti, Perëndia ynë, që ke dëbuar banorët e këtij vendi përpara popullit tënd të Izraelit dhe ia ke dhënë përgjithnjë pasardhësve të mikut tënd Abraham?

8. Ata kanë banuar aty dhe kanë ndërtuar një shenjtërore për emrin tënd, duke thënë:

9. "Në rast se na godet një fatkeqësi, shpata, gjykimi apo murtaja ose zia e bukës, ne do të paraqitemi përpara këtij tempulli dhe përpara teje (sepse emri yt është në këtë tempull), do të të klithim ty nga fatkeqësia jonë, ti do të na dëgjosh dhe do të na vish në ndihmë".

10. Dhe ja, tani bijtë e Amonit, të Moabit dhe ata të malit Seir, në territorin e të cilëve nuk e lejove Izraelin të hynte kur ata po dilnin nga Egjipti (prandaj ata qëndruan larg tyre dhe nuk i shkatërruan),

11. dhe ja, tani ata na shpërblejnë, duke ardhur të na dëbojnë nga trashëgimia jote që na ke dhënë në zotërim.

12. O Perëndia ynë, a nuk do t'i dënosh ata? Sepse ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh; nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tona janë drejtuar te ti".

13. Tani tërë burrat e Judës, me fëmijët, bashkëshortet dhe bijtë e tyre, rrinin më këmbë përpara Zotit.

14. Atëherë në mes të asamblesë Fryma e Zotit përfshiu Jahazielin, birin e Zakarias, bir i Benajahut, bir i Jeielit, bir i Mataniahut, një Levit nga bijtë e Asafit.

15. Dhe ky tha: "Dëgjoni, ju të gjithë nga Juda, ju banorë të Jeruzalemit dhe ti, o mbret Jozafat! Kështu ju thotë Zoti: "Mos kini frikë, mos u tronditni për shkak të kësaj shumice të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë.

16. Nesër hidhuni kundër tyre; ja, ata do të ngjiten nëpër të përpjetën e Tsitsit, dhe ju do t'i gjeni në skajin e luginës përballë shkretëtirës së Jeruelit.

17. Nuk do të jeni ju që do të luftoni në këtë betejë; zini pozicion, qëndroni pa lëvizur dhe do të shihni lirimin e Zotit, që është me ju. O Judë, o Jeruzalem, mos kini frikë dhe mos u tronditni; nesër do të dilni kundër tyre, sepse Zoti është me ju"".

18. Atëherë Jozafati uli për tokë fytyrën e tij, dhe tërë Juda dhe banorët e Jeruzalemit ranë përmbys përpara Zotit dhe e adhuruan.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 20