Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 20:22-32 Bibla Shqip (ALBB)

22. Kur ata filluan të këndojnë dhe të lëvdojnë, Zoti ngriti një pritë kundër bijve të Amonit dhe të Moabit dhe atyre të malit të Seirit që kishin ardhur kundër Judës, dhe mbetën të mundur.

23. Bijtë e Amonit dhe të Moabit u ngritën kundër banorëve të malit të Seirit për të realizuar shfarosjen dhe shkatërrimin e tyre; mbasi kryen shfarosjen e banorëve të Seirit, ndihmuan njëri-tjetrin për të shkatërruar veten e tyre.

24. Kështu kur ata të Judës arritën në lartësinë prej nga mund të këqyrej shkretëtira, u kthyen nga turma, dhe ja, nuk kishte veçse kufoma të shtrira për tokë, asnjë nuk kishte shpëtuar.

25. Atëherë Jozafati dhe njerëzit e tij shkuan për të marrë plaçkën e luftës; midis tyre gjetën një sasi të madhe pasurish mbi kufomat e tyre dhe sende me vlerë; morën për vete më tepër se sa mund t'i mbartnin; iu deshën tri ditë për të marrë plaçkën, aq e shumtë ishte ajo.

26. Ditën e katërt u mblodhën në Luginën e Bekimit, ku bekuan Zotin; prandaj ky vend quhet Lugina e Bekimit edhe sot.

27. Pastaj tërë njerëzit e Judës dhe të Jeruzalemit, me Jozafatin në krye, u nisën me gëzim për t'u kthyer në Jeruzalem, sepse Zoti u kishte dhënë shkas të gëzohen mbi armiqtë e tyre.

28. Kështu hynë në Jeruzalem me harpa, me qeste dhe me bori dhe u drejtuan nga shtëpia e Zotit.

29. Tmerri i Zotit ra mbi të gjitha mbretëritë e vendeve të tjera, kur mësuan që Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit.

30. Mbretëria e Jozafatit qe e qetë; Perëndia i tij i dha paqe rreth e qark.

31. Kështu Jozafati mbretëroi mbi Judë. Ai ishte tridhjetë e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jeruzalem; e ëma quhej Azubah dhe ishte bija e Shilhit.

32. Ai ndoqi kudo rrugët e atit të tij, Asa, dhe nuk u largua prej tyre, duke bërë atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 20