kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31
  32. 32
  33. 33
  34. 34
  35. 35
  36. 36

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit, Abijahu filloi të mbretërojë në Judë.

2. Ai mbretëroi tre vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Mikajah; ishte bija e Urielit nga Gibeahu. Pati luftë midis Abijahut dhe Jeroboamit.

3. Abijahu u përgatit për betejën me një ushtri me luftëtarë trima, katërqind mijë njerëz të zgjedhur; edhe Jeroboami u radhit në rend beteje kundër tij me tetëqind mijë burra të zgjedhur, njerëz të fortë dhe trima.

4. Duke qëndruar në malin e Tsemaraimit, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, Abijahu tha: "Më dëgjoni, Jeroboam dhe tërë Izraeli!

5. A nuk e dini vallë që Zoti, Perëndia i Izraelit, ia ka dhënë përgjithnjë Davidit mbretërimin mbi Izrael, atij dhe bijve të tij, me një besëlidhje kripe?

6. Megjithatë Jeroboami, bir i Nebatit, shërbëtor i Salomonit, birit të Davidit, u ngrit dhe u rebelua kundër zotërisë së tij.

7. Rreth tij ishin mbledhur njerëz të neveritshëm dhe horra, që ishin bërë të fortë kundër Roboamit, birit të Salomonit, kur Roboami ishte i ri dhe pa përvojë, dhe nuk ishte mjaft i fortë sa t'u rezistonte atyre.

8. Tani ju mendoni të mund t'i rezistoni mbretërisë të Zotit, që është në duart e bijve të Davidit, sepse jeni një shumicë e madhe dhe keni me vete viçat e artë që Jeroboami ka bërë për ju si perënditë tuaja.

9. A nuk keni dëbuar vallë priftërinjtë e Zotit, bij të Aaronit, dhe levitët dhe nuk jeni bërë priftërinj si popujt e vendeve të tjera? Kështu kushdo që vjen me një dem të vogël dhe me shtatë desh për t'u shenjtëruar, mund të bëhet prift i atyre që nuk janë perëndi.

10. Sa për ne, Zoti është Perëndia ynë dhe ne nuk e kemi braktisur; priftërinjtë që i shërbejnë Zotit janë bij të Aaronit, ndërsa levitët kryejnë detyrat e tyre.

11. Çdo mëngjes e çdo mbrëmje ata i ofrojnë Zotit holokauste dhe temjan erëmirë; për më tepër ata i vendosin bukët e paraqitjes në një tryezë të pastër, dhe çdo mbrëmje ndezin shandanin e artë me llambat e tij, sepse ne respektojmë urdhrin e Zotit, Perëndisë tonë, por ju e keni braktisur.

12. Dhe ja, vet Perëndia është me ne, mbi kryet tonë dhe priftërinjtë me bori kumbuese janë duke i rënë alarmit kundër jush. O bij të Izraelit, mos luftoni kundër Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, sepse nuk do të keni sukses".

13. Ndërkaq Jeroboami me një pritë u mori krahët për t'i sulmuar; kështu ndërsa ai ishte radhitur para Judës, ata të pritës ndodheshin prapa tyre.

14. Kur ata të Judës u kthyen, vunë re që beteja i priste si nga përpara ashtu dhe nga prapa. Atëherë i klithën Zotit dhe priftërinjtë u ranë borive.

15. Pastaj njerëzit e Judës lëshuan një britmë dhe, ndërsa njerëzit e Judës ulërinin, ndodhi që Perëndia goditi Jeroboamin dhe tërë Izraelin përpara Abijahut dhe Judës.

16. Kështu bijtë e Izraelit ikën përpara Judës, dhe Perëndia i dorëzoi në duart e tij.

17. Abijahu dhe njerëzit e tij i mundën keq; nga radhët e izraelitëve ranë të vdekur pesëqind mijë luftëtarë të zgjedhur.

18. Kështu në atë kohë bijtë e Izraelit u poshtëruan, ndërsa bijtë e Judës u përforcuan sepse ishin mbështetur tek Zoti, Perëndia i etërve të tyre.

19. Abijahu e ndoqi Jeroboamin dhe i mori qytetet që vijojnë: Bethelin me fshatrat përreth, Jeshanahun me fshatrat përreth dhe Efraimin me fshatrat përreth.

20. Kështu gjatë jetës së Abijahut, Jeroboami nuk e mblodhi më veten; pastaj Zoti e goditi dhe ai vdiq.

21. Abijahu përkundrazi u bë i fuqishëm, mori katërmbëdhjetë gra dhe pati njëzet e dy djem dhe gjashtëmbëdhjetë vajza.

22. Pjesa tjetër e bëmave të Abijahut, sjellja dhe fjalët e tija janë përshkruar në kronikat e profetit Ido.