Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 9:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Kishte një njeri të Beniaminit, që quhej Kish, ishte bir i Abielit, bir i Tserorit, bir i Bekorathit, bir i Afiahut, bir i një beniaminiti, një njeri i fortë dhe trim.

2. Ai kishte një djalë të quajtur Saul, i ri dhe i bukur, ndër bijtë e Izraelit nuk kishte asnjë më të bukur se ai; që nga supet e lart, ai ua kalonte, për shtat, gjithë njerëzve të tjerë.

3. Gomarët e Kishit, atit të Saulit, kishin humbur; Kishi i tha të birit, Saulit: "merr me vete një nga shërbëtorët, çohu dhe shko të kërkosh gomarët".

4. Kështu ai kaloi nëpër krahinën malore të Efraimit dhe përshkoi vendin e Shalishas, pa i gjetur; pastaj kaloi nëpër vendin e Shaalimit, por nuk ishin as aty; përshkuan pastaj vendin e beniaminitëve, por nuk i gjetën as aty.

5. Kur arritën në vendin e Tsufit, Sauli i tha shërbëtorit të tij që ishte me të: "Çohu, të kthehemi, që të mos ndodhë që im atë të heqë mendjen nga gomaret dhe të fillojë të shqetësohet për ne".

6. Shërbëtori i tha: "Ja, në këtë qytet jeton një njeri i Perëndisë, që e nderojnë shumë; tërë ato që ai thotë, realizohen pa tjetër. Tani le të shkojmë atje; ndofta do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim".

7. Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Por ja, në qoftë se shkojmë, çfarë t'i çojmë njeriut të Perëndisë? Sepse buka e thasëve tanë ka mbaruar dhe nuk kemi asnjë dhuratë për t'i çuar njeriut të Perëndisë. Çfarë kemi me vete?".

8. Dhe shërbëtori iu përgjigj Saulit, duke thënë: "Ja, unë kam në dorë një çerek sikli prej argjendi; do t'ia jap njeriut të Perëndisë dhe ai do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim".

9. (Në të kaluarën në Izrael, kur dikush shkonte për t'u këshilluar me Perëndinë, thoshte: "Çohu të shkojmë te shikuesi", sepse profeti i sotëm në të kaluarën quhej shikues).

10. Atëherë Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Mirë e the. Çohu të shkojmë!". Dhe u drejtuan nga qyteti ku gjendej njeriu i Perëndisë.

11. Ndërsa merrnin të përpjetën që të çon në qytet, takuan rrugës dy vajza që kishin dalë për të mbushur ujë dhe i pyetën ato: "Këtu është shikuesi?".

12. Ato u përgjigjën duke thënë: "Po, ja ku është pak përpara jush, nxitoni. Sot erdhi në qytet, sepse sot populli duhet të bëjë një flijim në vendin e lartë.

13. Sa të hyni në qytet, do ta gjeni me siguri para se të ngjitet në vendin e lartë për të ngrënë. Populli nuk do të hajë derisa ai të mbërrijë, sepse ai ka për të bekuar flijimin; pastaj të ftuarit do të fillojnë të hanë. Prandaj ngjituni lart, sepse tani do ta gjeni".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 9