Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 8:6-20 Bibla Shqip (ALBB)

6. Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: "Na jep një mbret që të na qeverisë". Prandaj Samueli iu lut Zotit.

7. Dhe Zoti i tha Samuelit: "Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.

8. Sillen me ty, ashtu siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t'u shërbyer perëndive të tjera.

9. Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallu të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta".

10. Kështu Samueli i tregoi tërë fjalët e Zotit drejtuar popullit që i kërkonte një mbret.

11. Dhe tha: "Këto do të jenë të drejtat e mbretit që do të mbretërojë mbi ju. Ai do t'i marrë bijtë tuaj dhe do t'i caktojë në qerret e tij, me qëllim që të bëhen kalorës të tij dhe të vrapojnë përpara qerreve;

12. për t'i bërë ata kapedanë të mijësheve dhe të pesëdhjetësheve, për t'i vënë ata t'i lërojnë arat, t'i korrin të lashtat, t'i prodhojnë armë lufte dhe vegla për qerret e tij.

13. Do të marrë bijat tuaja për t'i bërë parfumiere, gjellëbërëse dhe furrtare.

14. Do të marrë arat tuaja, vreshtat dhe ullishtat tuaja; më të mirat që keni, për t'ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.

15. Do të marrë të dhjetën e farërave dhe të vreshtave tuaja për t'ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.

16. Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret, të rinjtë tuaj më të mirë dhe gomarët që keni për t'i përdorur në punimet e tij.

17. Do të marrë edhe të dhjetën e kopeve tuaja, dhe ju do të jeni skllevërit e tij.

18. Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t'ju përgjigjet".

19. Megjithatë populli nuk deshi t'i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: "Jo, do të kemi një mbret mbi ne.

20. Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 8