Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 6:12-21 Bibla Shqip (ALBB)

12. Atëherë lopët u nisën pikërisht në drejtim të Beth-Shemeshit, duke ndjekur gjithnjë atë rrugë dhe duke pëllitur ndërsa po ecnin, pa u kthyer as djathtas, as majtas. Princat e filistenjve i ndoqën deri në kufirin e Beth-Shemeshit.

13. Banorët e Beth-Shemeshit ishin duke korrur grurin në luginë; duke ngritur sytë, panë arkën dhe u gëzuan qe e panë.

14. Qerrja, pasi arriti në kampin e Jozueut në Beth-Shemesh, u ndal aty. Aty kishte një gur të madh; kështu ata çanë lëndën e drurit të qerres dhe i ofruan lopët si holokauste të Zotit.

15. Levitët hoqën arkën e Zotit dhe shportën që i rrinte pranë dhe në të cilën gjendeshin sendet prej ari, dhe i vendosëm mbi një gur të madh. Po atë ditë njerëzit e Beth-Shemeshit ofruan dhe i bënë flijime Zotit.

16. Mbasi pesë princat e filistenjve panë këtë gjë, po atë ditë u kthyen në Ekron.

17. Këto janë hemorroidet prej ari që filistenjtë i dërguan Zotit si ofertë zhdëmtimi; një për Ashdodin, një për Gazën, një për Askalonin, një për Gathin, një për Ekronin;

18. dhe minjtë prej ari sipas numrit të të gjitha qyteteve të filistenjve që u përkisnin pesë princave, nga qytetet e fortifikuara deri në fshatrat e fushës, deri në gurin e madh e mbi të cilin u vendos arka e Zotit dhe që qëndron deri në ditën e sotme në fushën e Jozueut, bethshemitit.

19. Zoti goditi disa njerëz të Beth-Shemeshit, sepse kishin shikuar brenda arkës së Zotit; ai goditi shtatëdhjetë njerëz të popullit. Populli mbajti zi për ta, sepse Zoti e kishte prekur me një fatkeqësi të madhe.

20. Njerëzit e Beth-Shemeshit thanë: "Kush mund të rezistojë përpara Zotit, këtij Perëndie të shenjtë? Nga kush do të ngjitet arka, kur të niset nga ne?".

21. Kështu u dërguan lajmëtarë banorëve të Kiriath-Jearimit për t'u thënë: "Filistenjtë e kanë kthyer arkën e Zotit; zbrisni dhe çojeni lart te ju".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 6