Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 4:6-22 Bibla Shqip (ALBB)

6. Filistenjtë, duke dëgjuar buçimën e asaj britme, thanë: "Çfarë kuptimi ka buçima e kësaj britme të madhe në kampin e hebrenjve?". Pastaj mësuan që arka e Zotit kishte arritur në kamp.

7. Kështu filistenjtë u trembën, sepse thoshin: "Perëndia erdhi në kamp". Dhe thirrën: "Mjerë ne! Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.

8. Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga duart e këtyre perëndive të fuqishme? Këto janë perënditë që i goditën egjiptasit me lloj-lloj plagësh në shkretëtirë.

9. Qëndroni të fortë dhe silluni si burra, o filistenj, që të mos bëheni skllevër të hebrenjve, ashtu si ata qenë skllevërit tuaj. Silluni si burra dhe luftoni!".

10. Kështu filistenjtë luftuan dhe Izraeli u mund; dhe gjithkush vrapoi te çadra e vet. Masakra qe me të vërtetë e madhe; Izraeli humbi tridhjetë mijë këmbësorë.

11. Edhe arka e Perëndisë u morr dhe dy djemtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.

12. Një njeri i Beniaminit vrapoi nga fusha e betejës dhe arriti po atë ditë në Shiloh, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.

13. Kur arriti, ja, Eli ishte ulur mbi ndenjësen e tij në anë të rrugës, duke shikuar, sepse zemra e tij dridhej për arkën e Perëndisë. Sapo ai njeri hyri në qytet dhe njoftoi për atë që kishte ndodhur, një britmë u ngrit nga tërë qyteti.

14. Kur dëgjoi zhurmën e britmave, Eli tha: "Ç'kuptim ka zhurma e kësaj rrëmuje?". Pastaj ai njeri erdhi me të shpejtë për t'i treguar Elit atë që kishte ndodhur.

15. Eli ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç; shikimi i tij qe errësuar aq sa që ai nuk shikonte më.

16. Njeriu i tha Elit: "Jam ai që ka ardhur nga fusha e betejës. Sot kam ikur me vrap nga fusha e betejës". Eli tha: "Si vajtën punët, biri im?".

17. Atëherë lajmëtari u përgjigj dhe tha: "Izraeli ia mbathi përpara filistenjve dhe u bë një masakër e madhe në popull; edhe dy djemtë e tu, Hofni dhe Finehasi, vdiqën, dhe arka e Perëndisë u morr".

18. Sa u zu në gojë arka e Perëndisë, Eli ra nga ndenjësja prapa, përbri derës, theu qafën dhe vdiq, sepse ishte plak dhe i rënduar. Qe gjyqtar i Izraelit dyzet vjet me radhë.

19. E reja e tij, gruaja e Finehasit, ishte me barrë dhe në prag të lindjes; kur dëgjoi lajmin që arka e Perëndisë ishte kapur dhe vjehrri i saj dhe i shoqi kishin vdekur, u kërrus dhe lindi, sepse e zunë dhembjet.

20. Në çastin kur ishte duke vdekur, gratë që kujdeseshin për të i thanë: "Mos u tremb, sepse ke lindur një djalë". Por ajo nuk u përgjigj dhe nuk u kushtoi vëmendje fjalëve të tyre,

21. por ia vuri emrin Ikabod fëmijës, duke thënë: "Lavdia u largua nga Izraeli", sepse arka e Perëndisë ishte marr për shkak të vjehrrit të saj dhe të burrit të saj.

22. Ajo tha: "Lavdia është larguar nga Izraeli, sepse arka e Perëndisë është marr".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 4