5. Kur arka e besëlidhjes së Zotit hyri në kamp, i gjithë Izraeli shpërtheu në një britmë gëzimi aq të fuqishme sa vetë toka e drodh.
6. Filistenjtë, duke dëgjuar buçimën e asaj britme, thanë: "Çfarë kuptimi ka buçima e kësaj britme të madhe në kampin e hebrenjve?". Pastaj mësuan që arka e Zotit kishte arritur në kamp.
7. Kështu filistenjtë u trembën, sepse thoshin: "Perëndia erdhi në kamp". Dhe thirrën: "Mjerë ne! Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.
8. Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga duart e këtyre perëndive të fuqishme? Këto janë perënditë që i goditën egjiptasit me lloj-lloj plagësh në shkretëtirë.
9. Qëndroni të fortë dhe silluni si burra, o filistenj, që të mos bëheni skllevër të hebrenjve, ashtu si ata qenë skllevërit tuaj. Silluni si burra dhe luftoni!".
10. Kështu filistenjtë luftuan dhe Izraeli u mund; dhe gjithkush vrapoi te çadra e vet. Masakra qe me të vërtetë e madhe; Izraeli humbi tridhjetë mijë këmbësorë.
11. Edhe arka e Perëndisë u morr dhe dy djemtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.
12. Një njeri i Beniaminit vrapoi nga fusha e betejës dhe arriti po atë ditë në Shiloh, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.
13. Kur arriti, ja, Eli ishte ulur mbi ndenjësen e tij në anë të rrugës, duke shikuar, sepse zemra e tij dridhej për arkën e Perëndisë. Sapo ai njeri hyri në qytet dhe njoftoi për atë që kishte ndodhur, një britmë u ngrit nga tërë qyteti.
14. Kur dëgjoi zhurmën e britmave, Eli tha: "Ç'kuptim ka zhurma e kësaj rrëmuje?". Pastaj ai njeri erdhi me të shpejtë për t'i treguar Elit atë që kishte ndodhur.
15. Eli ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç; shikimi i tij qe errësuar aq sa që ai nuk shikonte më.