1. Fjala e Samuelit i drejtohej tërë Izraelit. Izraeli doli të luftojë kundër filistenjve dhe ngriti kampin e tij pranë Eben-Ezerit, ndërsa filistenjtë u vendosën pranë Afekut.
2. Pastaj filistenjtë u renditën për betejë kundër Izraelit; filloi një betejë e madhe, por Izraeli u mund nga filistenjtë, të cilët vranë në fushën e betejës rreth katër mijë veta.
3. Kur populli u kthye në kamp, pleqtë e Izraelit thanë: "Pse Zoti na mundi sot përpara filistenjve? Të shkojmë të marrim në Shiloh arkën e besëlidhjes së Zotit, në mënyrë që të ndodhet në mes nesh dhe të na shpëtojë nga duart e armiqve tanë!".
4. Kështu populli dërgoi në Shiloh njerëz që të merrnin që andej arkën e besëlidhjes së Zotit të ushtrive, që ulët midis kerubinëve; dhe dy bijtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, ishin aty me arkën e besëlidhjes së Perëndisë.
5. Kur arka e besëlidhjes së Zotit hyri në kamp, i gjithë Izraeli shpërtheu në një britmë gëzimi aq të fuqishme sa vetë toka e drodh.
6. Filistenjtë, duke dëgjuar buçimën e asaj britme, thanë: "Çfarë kuptimi ka buçima e kësaj britme të madhe në kampin e hebrenjve?". Pastaj mësuan që arka e Zotit kishte arritur në kamp.
7. Kështu filistenjtë u trembën, sepse thoshin: "Perëndia erdhi në kamp". Dhe thirrën: "Mjerë ne! Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.
8. Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga duart e këtyre perëndive të fuqishme? Këto janë perënditë që i goditën egjiptasit me lloj-lloj plagësh në shkretëtirë.
9. Qëndroni të fortë dhe silluni si burra, o filistenj, që të mos bëheni skllevër të hebrenjve, ashtu si ata qenë skllevërit tuaj. Silluni si burra dhe luftoni!".
10. Kështu filistenjtë luftuan dhe Izraeli u mund; dhe gjithkush vrapoi te çadra e vet. Masakra qe me të vërtetë e madhe; Izraeli humbi tridhjetë mijë këmbësorë.
11. Edhe arka e Perëndisë u morr dhe dy djemtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.
12. Një njeri i Beniaminit vrapoi nga fusha e betejës dhe arriti po atë ditë në Shiloh, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.
13. Kur arriti, ja, Eli ishte ulur mbi ndenjësen e tij në anë të rrugës, duke shikuar, sepse zemra e tij dridhej për arkën e Perëndisë. Sapo ai njeri hyri në qytet dhe njoftoi për atë që kishte ndodhur, një britmë u ngrit nga tërë qyteti.
14. Kur dëgjoi zhurmën e britmave, Eli tha: "Ç'kuptim ka zhurma e kësaj rrëmuje?". Pastaj ai njeri erdhi me të shpejtë për t'i treguar Elit atë që kishte ndodhur.
15. Eli ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç; shikimi i tij qe errësuar aq sa që ai nuk shikonte më.
16. Njeriu i tha Elit: "Jam ai që ka ardhur nga fusha e betejës. Sot kam ikur me vrap nga fusha e betejës". Eli tha: "Si vajtën punët, biri im?".
17. Atëherë lajmëtari u përgjigj dhe tha: "Izraeli ia mbathi përpara filistenjve dhe u bë një masakër e madhe në popull; edhe dy djemtë e tu, Hofni dhe Finehasi, vdiqën, dhe arka e Perëndisë u morr".