Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 3:2-15 Bibla Shqip (ALBB)

2. Në atë kohë Eli rrinte shtrirë në vendin e tij të zakonshëm (tani shikimi i tij kishte filluar të errësohej dhe ai nuk mund të shikonte).

3. Llamba e Perëndisë nuk ishte shuar akoma dhe Samueli ishte shtrirë në tabernakullin e Zotit, ku gjendej edhe arka e Perëndisë.

4. Atëherë Zoti thirri Samuelin që u përgjigj: "Ja ku jam!".

5. Pastaj vrapoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Ai u përgjigj: "Unë nuk të kam thirrur, shko të flesh". Kështu ai vajti të flejë.

6. Zoti e thirri përsëri Samuelin. Dhe Samueli u ngrit, shkoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Por ai u përgjigj: "Biri im, unë nuk të kam thirrur; shko të flesh".

7. (Por Samueli nuk e njihte akoma Zotin, dhe fjala e tij nuk i ishte shfaqur akoma).

8. Zoti e thirri përsëri për të tretën herë Samuelin. Kështu ai u ngrit, shkoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Atëherë Eli kuptoi që Zoti e thërriste të riun.

9. Prandaj Eli i tha Samuelit: "Shko e bjer dhe, në qoftë se të thërret prapë, do të thuash: "Fol, o Zot, sepse shërbëtori yt të dëgjon"". Kështu Samueli vajti të shtrihet në vendin e tij.

10. Pastaj Zoti erdhi, u vendos aty afër dhe thirri si herët e tjera: "Samuel, Samuel!". Samueli u përgjigj: "Fol, sepse shërbëtori yt të dëgjon".

11. Atëherë Zoti i tha Samuelit: "Ja, jam duke bërë në Izrael një gjë që do të shungullojë veshët e kujtdo që ka për ta dëgjuar.

12. Atë ditë unë do të kryej kundër Eliut të gjitha ato që thashë lidhur me shtëpinë e tij, nga fillimi deri në fund.

13. Po i deklaroj që jam bërë gati të ndëshkoj shtëpinë e tij përgjithnjë, për shkak të paudhësisë që e karakterizon, sepse bijtë e tij janë bërë të neveritshëm dhe ai nuk i ka frenuar.

14. Prandaj unë i betohem shtëpisë së Elit që paudhësia e shtëpisë së Elit nuk do të shlyhet kurrë me flijime dhe me blatime".

15. Samueli mbeti i shtrirë deri në mëngjes, pastaj hapi dyert e shtëpisë së Zotit. Ai kishte frikë t'i tregonte Elit vegimin e tij.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 3