8. Kështu Sauli u vesh ndryshe për të mos u njohur dhe u nis me dy burra. Arritën tek ajo grua natën dhe Sauli i tha: "Bëj një shortari për mua, të lutem, me një seancë spiritizmi dhe më thirr atë që do të të them".
9. Gruaja iu përgjigj: "Ja, ti e di ç'ka bërë Sauli; ai i ka shfarosur nga vendi mediumet dhe shortarët. Pse i ngre një grackë jetës sime, për të shkaktuar vdekjen time?".
10. Atëherë Sauli iu betua në emër të Zotit, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë!".
11. Gruaja i tha: "Cilin duhet të të nxjerr?". Ai i tha: "Më nxirr Samuelin".
12. Kur pa Samuelin, gruaja bërtiti me zë të lartë; dhe gruaja i tha Saulit: "Pse më mashtrove? Ti je Sauli!".
13. Mbreti iu përgjigj: "Mos ki frikë; çfarë shikon?". Gruaja i tha Saulit: "Shoh një qenie mbinjerëzore që ngrihet nga toka".
14. Ai e pyeti: "Ç'formë ka?". Ajo u përgjigj: "Është një plak që po ngjitet dhe është mbështjellë me një mantel". Atëherë Sauli kuptoi se ishte Samueli, u përul me fytyrën për tokë dhe ra përmbys.
15. Samueli i tha Saulit: "Pse më shqetësove duke bërë që të dal?". Sauli iu përgjigj: "Ndodhem në një ankth të madh, sepse filistenjtë më luftojnë dhe Perëndia është larguar nga unë, dhe nuk më përgjigjet
16. Samueli i tha: "Pse këshillohesh me mua, në qoftë se Zoti është larguar nga ti dhe është bërë armiku yt?
17. Zoti veproi ashtu siç kishte thënë nëpërmjet meje. Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit,
18. sepse nuk iu binde zërit të Zotit dhe nuk zbatove në jetë zemërimin e thellë të tij kundër Amalekut; për këtë arsye Zoti të bëri sot këtë gjë.
19. Zoti do ta japë edhe Izraelin bashkë me ty në duart e filistenjve; nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua. Zoti do të japë gjithashtu ushtrinë e Izraelit në duart e filistenjve.