Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 28:16-25 Bibla Shqip (ALBB)

16. Samueli i tha: "Pse këshillohesh me mua, në qoftë se Zoti është larguar nga ti dhe është bërë armiku yt?

17. Zoti veproi ashtu siç kishte thënë nëpërmjet meje. Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit,

18. sepse nuk iu binde zërit të Zotit dhe nuk zbatove në jetë zemërimin e thellë të tij kundër Amalekut; për këtë arsye Zoti të bëri sot këtë gjë.

19. Zoti do ta japë edhe Izraelin bashkë me ty në duart e filistenjve; nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua. Zoti do të japë gjithashtu ushtrinë e Izraelit në duart e filistenjve.

20. Atëherë Sauli ra menjëherë për së gjati për tokë, sepse ishte trembur shumë nga fjalët e Samuelit; ai kishte qenë edhe më parë pa fuqi, sepse nuk kishte ngrënë tërë atë ditë dhe tërë atë natë.

21. Gruaja iu afrua Saulit dhe duke e parë të tmerruar fare, i tha: "Ja, shërbëtorja jote iu bind zërit tënd; unë vura në rrezik jetën time për t'iu bindur fjalëve që më the.

22. Prandaj dëgjo edhe ti zërin e shërbëtores sate dhe lërmë të vë para teje një copë buke; ha, sepse kështu do të marrësh fuqi për ta rifilluar rrugën".

23. Por ai refuzoi dhe tha: "Nuk do të ha". Por shërbëtorët e tij bashkë me gruan ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi; kështu u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat.

24. Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë; e theri shpejt e shpejt, pastaj mori miellin, gatoi brumin dhe përgatiti disa bukë pa maja.

25. I vuri këto ushqime Saulit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ata i hëngrën; pastaj u ngritën dhe u nisën po atë natë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 28