Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 26:16-25 Bibla Shqip (ALBB)

16. Ajo që ke bërë nuk është aspak e mirë. Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ju meritoni vdekjen, sepse nuk e keni ruajtur mirë zotërinë tuaj, të vajosurin e Zotit! Dhe tani shiko ku është shtiza e mbretit dhe kana e ujit që ishte pranë kokës së tij!".

17. Sauli njohu zërin e Davidit dhe tha: "A është zëri yt, o biri im David?". Davidi u përgjigj: "Është zëri im, o mbret, o imzot!".

18. Pastaj shtoi: "Pse zotëria im e persekuton shërbëtorin e tij? Ç'kam bërë? Çfarë të keqe kam kryer?

19. Prandaj tani, të lutem, dëgjo, o mbret, o imzot, fjalët e shërbëtorit tënd. Në rast se Zoti të nxit kundër meje, ai le të pranojë një blatim! Por në rast se janë njerëz, qofshin të mallkuar përpara Zotit, sepse sot më kanë përzënë që të më pengonin të merrja pjesën në trashëgiminë e Zotit, duke më thënë: "Shko t'u shërbesh perëndive të tjera".

20. Tani, pra, gjaku im mos rëntë në tokë larg pranisë të Zotit! Sepse mbreti i Izraelit doli për të kërkuar një plesht, ashtu si gjuajnë një thëllëzë nëpër male".

21. Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar; ktheu, biri im David, sepse nuk do të bëj më asnjë të keqe, sot jeta ime ishte e çmuar në sytë e tua; ja, kam vepruar si një budalla dhe kam gabuar rëndë".

22. Davidi u përgjigj: "Ja, shtiza e mbretit; le të vijë këtu një nga të rinjtë e ta marrë.

23. Zoti do t'i japë secilit sipas drejtësisë dhe besnikërisë së tij; sot në fakt Zoti të kishte dhënë në duart e mia, por unë nuk desha të shtrija dorën time kundër të vajosurit të Zotit.

24. Ashtu si sot jeta jote ka qenë e çmuar në sytë e mi, kështu ka për të qenë e çmuar jeta ime në sytë e Zotit; dhe ai të më largojë çdo fatkeqësi".

25. Atëherë Sauli i tha Davidit: "Qofsh i bekuar, biri im David. Ti do të bësh vepra të mëdha dhe ke për të dalë me siguri fitimtar". Kështu Davidi vazhdoi rrugën e tij dhe Sauli u kthye në shtëpinë e vet.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 26