Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 25:12-29 Bibla Shqip (ALBB)

12. Kështu të rinjtë e Davidit morën përsëri rrugën e tyre, u kthyen dhe shkuan të njoftojnë tërë këto fjalë.

13. Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: "Secili do të ngjesh shpatën". Kështu secili ngjeshi shpatën e tij dhe Davidi ngjeshi të vetën; rreth katërqind veta shkuan pas Davidit dhe dyqind mbetën me plaçkat.

14. Por një nga shërbëtorët e lajmëroi Abigailin, gruan e Nabalit, duke thënë: "Ja, Davidi ka dërguar lajmëtarë nga shkretëtira për të përshëndetur zotin tonë, por ai i ka fyer.

15. Mirëpo këta njerëz janë sjellë shumë mirë me ne, nuk na kanë bërë asnjë të keqe dhe nuk ka munguar asgjë në kohën që kemi bredhur bashkë me ta nëpër fusha.

16. Ata kanë qenë për ne një mur mbrojtjeje natën e ditën për gjithë kohën që kemi kullotur bashkë me ta kopenë tonë.

17. Dije dhe shiko atë që duhet të bësh, sepse ka për t'i ngjarë ndonjë fatkeqësi zotit tonë dhe tërë shtëpisë së tij; ai është një njeri aq i keq, sa nuk mund t'i flasësh".

18. Atëherë Abigaili mori me nxitim dyqind bukë, dy calikë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa gruri të pjekur, njëqind vile rrush të thatë dhe dyqind bukë fiku dhe i ngarkoi mbi gomarë.

19. Pastaj u tha shërbëtorëve të saj: "Shkoni para meje, unë do t'ju ndjek". Por nuk i tha asgjë Nabalit, burrit të saj.

20. Ndërsa ajo po zbriste hipur mbi gomar nëpër një shteg të fshehur nga mali, Davidi dhe njerëzit e tij zbrisnin në drejtim të saj, dhe ajo i ndeshi ata.

21. Davidi kishte thënë: "Kam ruajtur më kot tërë ato që ai njeri kishte në shkretëtirë. Nuk i ka dalë mangët kurrë asgjë nga tërë ato që kishte, por ai ma ktheu të mirën me të keqe.

22. Kështu ua bëftë Perëndia armiqve të Davidit, madje edhe më keq, në rast se nga të gjitha ato që ai zotëron kam për të lënë të gjallë një mashkull të vetëm deri në mëngjes".

23. Kur Abigaili pa Davidin, zbriti shpejt nga gomari dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara Davidit.

24. Kështu u shtri në këmbët e tij dhe tha: "O imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji! Por lejo shërbëtoren tënde të të flasë, dhe ti dëgjo fjalët e saj.

25. Të lutem, mos ia vër re atij njeriu të neveritshëm, Nabalit, sepse ai është pikërisht ashtu si e ka emrin, ai quhet Nabal dhe karakterizohet nga budallallëku; por unë, shërbëtorja jote, nuk i kam parë të rinjtë e dërguar nga zotëria im.

26. Kështu, pra, imzot, ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që shpirti yt jeton, Zoti të ka penguar të derdhësh gjak dhe të vendosësh drejtësi me duart e tua. Armiqtë e tu dhe ata që duan t'i bëjnë keq zotërisë sime qofshin si Nabali!

27. Dhe tani kjo dhuratë që shërbyesja jote i ka sjellë zotërisë sime, t'u jepet të rinjve që ndjekin zotërinë tim.

28. Por falja fajin shërbëtores sate; me siguri Zoti do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim, sepse zotëria im lufton në betejat e Zotit, dhe gjatë tërë kohës së jetës sate nuk është gjetur asnjë e keqe te ti.

29. Në rast se del dikush që të të persekutojë dhe të kërkojë jetën tënde, jeta e zotërisë tim do të ruhet në peshtafin e jetës pranë Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë si nga zgavra e një hobeje.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 25