Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 24:6-15 Bibla Shqip (ALBB)

6. Kështu u tha njerëzve të tij: "Të më ruajë Zoti nga kryerja e një veprimi të tillë kundër zotërisë sime, kundër të vajosurit të Zotit, nga shtrirja e dorës sime kundër tij, sepse është i vajosuri i Zotit".

7. Me këto fjalë Davidi i ndali njerëzit e tij dhe nuk i la të hidhen kundër Saulit. Pastaj Sauli u ngrit, doli nga shpella dhe vazhdoi rrugën e tij.

8. Pas kësaj edhe Davidi u ngrit, doli nga shpella dhe i thirri Saulit, duke thënë: "O mbret, o imzot!". Atëherë Sauli u kthye, dhe Davidi uli fytyrën për tokë dhe u përul.

9. Davidi i tha Saulit: "Pse dëgjon fjalët e njerëzve që thonë: "Davidi kërkon të të bëj keq?".

10. Ja, sot sytë e tu panë që sot Zoti të kishte dorëzuar në duart e mia në atë shpellë; dikush më tha të të vras, por unë të kurseva dhe thashë: "Nuk do ta shtrij dorën kundër zotërisë tim, sepse është i vajosuri i Zotit".

11. Veç kësaj, o ati im, shiko në dorën time cepin e mantelit tënd. Në rast se kam prerë cepin e mantelit tënd dhe nuk të kam vrarë, mund të kuptosh dhe të bindesh që nuk ka në veprimet e mia ligësi, as rebelim dhe se nuk kam mëkatuar kundër teje; por ti po më kurdis gracka për të më hequr jetën!

12. Zoti le të vendosë midis teje dhe meje dhe Zoti le të më marrë hakun kundër teje; sepse unë nuk do ta ngre dorën kundër teje.

13. Ashtu si thotë proverbi i lashtë: "Ligësia vjen nga të liqtë". Por unë nuk do ta shtrij dorën time kundër teje.

14. Kundër kujt ka dalë mbreti i Izraelit? Cilin je duke persekutuar? Një qen të ngordhur, një plesht?

15. Zoti le të jetë gjykatës dhe le të sigurojë drejtësi midis meje dhe teje; të ketë mundësinë të shohë dhe të mbrojë çështjen time, të më japë hak, duke më liruar nga duart e tua".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 24