1. Pastaj Davidi shkoi në Nob tek prifti Ahimelek; Ahimeleku i doli përpara Davidit duke u dridhur dhe i tha: "Pse je vetëm dhe nuk ka njeri me ty?".
2. Davidi iu përgjigj priftit Ahimelek: "Mbreti më urdhëroi diçka dhe më tha: "Asnjeri të mos dijë kurrgjë për çështjen për të cilën po të dërgoj dhe për atë që të kam urdhëruar". Njerëzit e mi i kam drejtuar në filan vend.
3. Dhe tani çfarë ke në dorë? Më jep pesë bukë ose çfarë të kesh".
4. Prifti iu përgjigj Davidit, duke thënë: "Nuk kam bukë të zakonshme, ka vetëm bukë të shenjtëruar, me kusht që burrat e tu t'u jenë përmbajtur së paku kontakteve me gratë".
5. Davidi iu përgjigj priftit: "Kemi mbetur pa gra, qysh se jemi nisur, tri ditë më parë; enët e njerëzve të mi janë të pastra; në fakt edhe buka është e zakonshme, megjithëse sot është shenjtëruar në enët".
6. Kështu prifti i dha bukën e shenjtëruar, sepse aty nuk kishte tjetër bukë veç asaj të paraqitjes, që ishte hequr nga prania e Zotit, për ta zëvendësuar me bukë të ngrohtë në çastin kur hiqet.
7. Atë ditë ndodhej aty një nga shërbëtorët e Saulit, që qëndronte para Zotit; quhej Doeg, edomiti, kryebariu i Saulit.
8. Davidi i tha Ahimelekut: "Mos ke rastësisht për kollaj ndonjë shtizë a një shpatë? Mbasi unë nuk kam marrë me vete as shpatën, as armët e mia, sepse detyra e ngarkuar nga mbreti ishte urgjente".
9. Prifti u përgjigj: "Është shpata e Goliathit, filisteut, që ti vrave në luginën e Terebintos; është aty prapa efodit, e mbështjellë me një pëlhurë; në rast se e do, merre, sepse këtu nuk kemi tjetër veç kësaj". Davidi tha: "Asnjë nuk ia kalon asaj; nëma!".