Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 20:4-15 Bibla Shqip (ALBB)

4. Jonathani i tha Davidit: "Çfarëdo gjë që të më kërkosh, unë do ta bëj për ty".

5. Davidi iu përgjigj Jonathanit: "Ja, nesër fillon hëna e re dhe unë duhet të ulem në tryezë me mbretin, por të më lër të shkoj dhe unë do të fshihem në fshatrat deri në mbrëmjen e ditë së tretë.

6. Në qoftë se atit tënd i bie në sy mungesa ime, ti do t'i thuash: "Davidi më është lutur me insistim të hidhet për pak kohë deri në Betlem, në qytetin e tij, sepse aty kremtohet flijimi për tërë familjen e tij".

7. Në qoftë se thotë: "Mirë", shërbëtori yt ka për të shpëtuar. Por në rast se zemërohet, dije se ka vendosur të ma bëjë të keqen.

8. Tregohu, pra, i mëshirshëm me shërbëtorin tënd, sepse e ke bërë të lidhet në një besëlidhje të Zotit me ty; por në rast se kam ndonjë faj, vritmë ti. Pse duhet të më çosh tek ati yt?".

9. Jonathani tha "Larg qoftë ky mendim! Po ta dija që im atë ka vendosur të ta bëjë të keqen, nuk do të ta tregoja ty?".

10. Davidi i tha Jonathanit: "Kush do të më njoftojë në se yt atë të përgjigjet rëndë?".

11. Jonathani i tha Davidit: "Eja, të dalim ndër fusha!". Kështu që të dy dolën jashtë, në fushë.

12. Atëherë Jonathani i tha Davidit: "Paça dëshmitar Zotin, Perëndinë e Izraelit! Nesër ose pasnesër, në këtë orë, do të hetoj qëllimet e atit tim, për të parë në se ai e shikon me sy të mirë Davidin, dhe po të mos dërgoj njeri të të njoftojë,

13. Zoti le t'i bëjë këtë gjë Jonathanit, madje edhe më keq. Në qoftë se përkundrazi im atë ka ndërmend të të bëjë një të keqe, unë do të të njoftoj dhe do të lë të shkosh me qëllim që ti të shkosh në paqe; dhe Zoti qoftë me ty, ashtu siç ka qenë me atin tim!

14. Derisa të jem gjallë, a nuk do të përdorësh ndaj meje mirësinë e Zotit, me qëllim që mos vritem?".

15. Por nuk do të heqësh dorë kurrë të përdorësh mirësinë ndaj shtëpisë sime, as atëherë kur Zoti të ketë shfarosur nga faqja e dheut tërë armiqtë e Davidit".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 20