Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 2:5-21 Bibla Shqip (ALBB)

5. Ata që ishin të ngopur shkojnë si punëtorë ditorë për një copë bukë, ndërsa ata që ishin të uritur nuk vuajnë më nga uria. Madje edhe ajo që ishte shterpë, ka pjellë shtatë herë, ndërsa ajo që ka shumë fëmijë është dobësuar.

6. Zoti të bën të vdesësh dhe të bën të jetosh; të zbret në Sheol dhe të ngjit që andej.

7. Zoti të varfëron dhe të pasuron, ai të poshtëron dhe ai të lartëson.

8. Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe e heq të varfrin nga plehrat, në mënyrë që të ulet me princat dhe të trashëgojnë një fron lavdie; sepse shtyllat e dheut i përkasin Zotit, dhe mbi to ai ka mbështetur botën.

9. Ai ruan rrugën që bëjnë shenjtorët e tij, por të pafetë do të vdesin në errësirë, sepse njeriu nuk do të mbizotërojë me anë të forcës.

10. Kundërshtarët e Zotit do të copëtohen; ai do të gjëmojë kundër tyre nga qielli. Zoti do të gjykojë popujt deri në skajet e tokës, do t'i japë forcë mbretit të tij dhe do ta lartojë forcën e të vajosurit të tij".

11. Pastaj Elkanahu u kthye në shtëpinë e tij në Ramah, dhe fëmija qëndroi që t'i shërbejë Zotit në prani të priftit Eli.

12. Bijtë e Elit ishin njerëz të këqij; nuk e njihnin Zotin.

13. Dhe ja si silleshin këta priftërinj me popullin; kur dikush ofronte një flijim, shërbëtori i priftit vinte, kur mishi ziente, me një pirun me tri maja në dorë,

14. dhe e fuste në tenxhere, në kazan apo në kusi, dhe tërë atë që piruni i madh tërhiqte sipër prifti e mbante për vete. Kështu vepronin me tërë izraelitët që shkonin në Shiloh.

15. Edhe para se të digjnin dhjamin, shërbëtori i priftit vinte dhe i thoshte atij që bënte flijimin: "Më jep mish për ta pjekur për priftin, sepse ai nuk do të pranojë prej teje mish të pjekur, por mish të gjallë".

16. Dhe në qoftë se njeriu i thoshte: "Më parë të tymoset dhjami, pastaj të marrësh sa të duash", ai përgjigjej: "Jo, duhet të ma japësh tani; përndryshe do ta marr me forcë".

17. Prandaj mëkati i dy të rinjve ishte shumë i madh përpara Zotit, sepse ata përçmonin ofertat që i bëheshin Zotit.

18. Por Samueli kryente shërbimin para Zotit, megjithëse akoma fëmijë, dhe ishte mbështjellë me një efod prej liri.

19. E ëma i përgatiste një veshje të vogël dhe ia çonte çdo vit kur ngjitej me burrin e saj për të ofruar flijimin vjetor.

20. Atëherë Eli bekonte Elkanahun dhe bashkëshorten e tij, duke thënë: "Zoti të dhëntë fëmijë të tjerë nga kjo grua, me kërkesën që ajo i ka bërë Zotit!". Pastaj ata ktheheshin në shtëpinë e tyre.

21. Kështu Zoti vizitoi Anën, dhe kjo mbeti me barrë dhe lindi tre djem dhe dy vajza. Ndërkaq djali Samuel po rritej pranë Zotit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 2