15. Sauli, duke parë që atij i shkonte shumë mbarë çdo gjë, kishte frikë prej tij;
16. por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse shkonte e vinte në krye të tyre.
17. Pastaj Sauli i tha Davidit: "Ja Merabi, bija ime më e madhe; do të ta jap për grua; u bëfsh për mua një bir trim dhe marrsh pjesë në betejat e Zotit". Sauli mendonte kështu: "Të mos jetë dora ime ta godasë, por dora e filistenjve".
18. Por Davidi iu përgjigj Saulit: "Kush jam unë dhe çfarë është jeta ime dhe familja e atit tim në Izrael, që unë të bëhem dhëndri i mbretit?".
19. Kur erdhi çasti për t'ia dhënë Davidit Merabin, bijën e Saulit, atë ia dhanë për grua Meholathitit Adriel.
20. Por Mikal, bija e Saulit, e dashuronte Davidin; këtë ia njoftuan Saulit dhe kjo gjë i pëlqeu.
21. Kështu Sauli mendoi: "Do t'ia jap, në mënyrë që ky të jetë një lak për të dhe ai të bjerë në duart e filistenjve".
22. Pas kësaj Sauli i urdhëroi shërbëtorët e tij: "Bisedoni fshehurazi me Davidin dhe i thoni: "Ja, mbreti është i kënaqur nga ti dhe të gjithë shërbëtorët e tij të duan, prandaj bëhu dhëndri i mbretit".
23. Shërbëtorët e Saulit ia çuan këto fjalë Davidit. Por Davidi u përgjigj: "Ju duket gjë e vogël të bëhesh dhëndri i mbretit?. Unë jam një njeri i varfër dhe nga shtresë e ulët".
24. Shërbëtorët i njoftuan Saulit: "Davidi u përgjigj në këtë mënyrë".
25. Atëherë Sauli tha: "Do t'i thoni kështu Davidit: "Mbreti nuk dëshiron asnjë prikë, por njëqind lafsha të filistenjve për t'u hakmarrë me armiqtë e mbretit"". Sauli kurdiste komplote për të shkaktuar vdekjen e Davidit me anë të filistenjve.
26. Kur shërbëtorët i njoftuan Davidit këto fjalë, Davidit iu duk gjë e mirë të bëhej dhëndër i mbretit. Ditët e caktuara nuk kishin kaluar akoma,
27. kur Davidi u ngrit dhe iku me njerëzit e tij, dhe vrau dyqind veta nga filistenjtë. Pastaj Davidi solli lafshat e tyre dhe dorëzoi mbretit këtë sasi të saktë për t'u bërë dhëndër i tij. Atëherë Sauli i dha të bijën Mikal për grua.
28. Kështu Sauli e pa dhe e kuptoi që Zoti ishte me Davidin; dhe Mikal, bija e Saulit, e donte.
29. Sauli pati edhe më tepër frikë nga Davidi dhe mbeti armiku i tij gjatë gjithë ditëve që jetoi.
30. Pastaj princat e filistenjve dolën për të luftuar por, sa herë që dilnin, Davidi ia dilte më mirë se të gjithë shërbëtorët e Saulit; kështu emri i tij u bë shumë i famshëm.