Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 17:47-58 Bibla Shqip (ALBB)

47. Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t'ju dorëzojë në duart tona".

48. Kur filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t'u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë filisteut;

49. vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë.

50. Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë.

51. Pastaj Davidi vrapoi, u hodh mbi filisteun, ia mori shpatën dhe e vrau duke i prerë me të kokën. Kur filistenjtë e panë që heroi i tyre vdiq, ikën me vrap.

52. Atëherë njerëzit e Izraelit dhe të Judës u ngritën, duke lëshuar britma lufte, dhe i ndoqën filistenjtë deri në hyrjen e luginës dhe në portat e Ekronit. Filistenjtë e plagosur për vdekje ranë në rrugën e Shaarimit, deri në Gath dhe në Ekron.

53. Kur bijtë e Izraelit u kthyen nga ndjekja e filistenjve, plaçkitën kampin e tyre.

54. Pas kësaj Davidi mori kokën e filisteut dhe e çoi në Jeruzalem, por armët e tij i vendosi në çadrën e tij.

55. Kur Sauli kishte parë Davidin që po dilte kundër filisteut, kishte pyetur komandantin e ushtrisë së tij, Abnerin: "Abner, bir i kujt është ky i ri?". Abneri iu përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, nuk e di".

56. Atëherë mbreti tha: "Merr informata mbi prindërit e këtij djaloshi".

57. Kur Davidi u kthye nga vrasja e filisteut, Abneri e mori dhe e çoi përpara Saulit, ndërsa ai mbante akoma në dorë kokën e filisteut.

58. Sauli i tha: "O i ri, bir i kujt je?". Davidi u përgjigj: Jam bir i shërbëtorit tënd, Betlemitit Isai".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 17