Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 17:34-42 Bibla Shqip (ALBB)

34. Por Davidi iu përgjigj Saulit: "Shërbëtori yt kulloste kopenë e atit të tij; kur një luan ose një ari vinte për të rrëmbyer një dele nga kopeja,

35. unë e ndiqja, e godisja dhe ia rrëmbeja nga goja; në qoftë se ai kthehej kundër meje, unë e kapja nga krifa, e godisja dhe e vrisja.

36. Po, shërbëtori yt ka vrarë luanin dhe ariun; dhe ky filiste i parrethprerë do të pësojë të njëjtin fat, sepse ka fyer ushtrinë e Perëndisë të gjallë".

37. Davidi shtoi: "Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij filisteu". Atëherë Sauli i tha Davidit: "Shko dhe Zoti qoftë me ty".

38. Pastaj Sauli e veshi Davidin me armaturën e tij, i vuri në kokë një përkrenare prej bronzi dhe i veshi parzmoren.

39. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën e Saulit mbi armaturën dhe u përpoq të ecë, sepse nuk ishte mësuar. Por Davidi i tha Saulit: "Unë nuk mund të eci me këtë armaturë, sepse nuk jam mësuar me të". Dhe kështu Davidi e hoqi nga trupi i tij.

40. Pastaj mori në dorë shkopin e tij, zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i vuri në torbën e bariut, në një thes të vogël që kishte me vete; pastaj me hobenë në dorë u nis kundër filisteut.

41. Edhe filisteu përparoi duke iu afruar gjithnjë e më tepër Davidit, ndërsa shqytari i tij e paraprinte.

42. Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 17