Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 17:19-32 Bibla Shqip (ALBB)

19. Sauli me gjithë vëllezërit e tu dhe gjithë burrat e Izraelit janë në luginën e Terebintit për të luftuar filistenjtë".

20. Kështu Davidi u ngrit herët në mëngjes, ia la delet e tij një rojtari, mori ngarkesën e tij dhe u nis ashtu siç e kishte urdhëruar Isai. Arriti në kampin e qerreve, kur ushtria po dilte për t'u radhitur në formacion beteje dhe lëshonte britma lufte.

21. izraelitët dhe filistenjtë ishin radhitur për betejë, një ushtri kundër tjetrës.

22. Davidi, pasi la ngarkesën e tij në duart e rojtarit të bagazheve, vrapoi në drejtim të grupimeve të betejës; me të arritur në vend, pyeti vëllezërit e tij si ishin.

23. Ndërsa po fliste me ata, ja ku doli nga radhët e filistenjve ai kampion, filisteu i Gathit, që mbante emrin Goliath dhe përsëriti po ato fjalë; dhe Davidi i dëgjoi.

24. Tërë njerëzit e Izraelit, me ta parë atë njeri, ikën para tij dhe u hyri një frikë e madhe.

25. Njerëzit e Izraelit thoshin: "E keni parë këtë njeri që shkon përpara? Ai shkon përpara për të vënë në provë sedrën e Izraelit. Ai që do ta vrasë, kushdo qoftë, do të shpërblehet me pasuri të mëdha nga mbreti, ky do t'i japë për grua të bijën dhe do të përjashtojë nga çdo haraç shtëpinë e atit të tij në Izrael".

26. Atëherë Davidi, duke iu drejtuar njerëzve që ishin pranë tij, tha: "Çfarë do t'i bëjnë atij burri që do të vrasë këtë filiste dhe do ta largojë turpin nga Izraeli? Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë?".

27. Njerëzit iu përgjigjën me po ato fjalë, duke thënë: "Kështu do të bëhet me atë që do ta vrasë".

28. Eliabi, vëllai i tij më i madh, e dëgjoi ndërsa fliste me ata njerëz; kështu Eliabi u zemërua me Davidin dhe tha: "Pse erdhe këtu? Kujt ia le ato pak dele në shkretëtirë? Unë e njoh krenarinë tënde dhe ligësinë e zemrës sate, ke zbritur këtu për të parë betejën?".

29. Davidi u përgjigj: "Ç'kam bërë unë tani?. Nuk ishte veçse një pyetje e thjeshtë!".

30. Duke u larguar prej tij, iu drejtua një tjetri dhe i bëri po atë pyetje; dhe njerëzit i dhanë po atë përgjigje të mëparshme.

31. Sa dëgjuan fjalët që Davidi kishte thënë, ia treguan Saulit dhe ky dërgoi njerëz që ta thërresin.

32. Davidi i tha Saulit: "Asnjeri të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë Filiste".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 17