Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 15:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj Samueli i tha Saulit: "Zoti më ka dërguar që të të vajos mbret mbi popullin tënd, mbi Izraelin; tani dëgjo fjalët e Zotit.

2. Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë do ta dënoj Amalekun për atë që i bëri Izraelit kur i preu rrugën, ndërsa po dilte nga Egjipti.

3. Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë".

4. Sauli thirri popullin dhe kaloi në parakalim në Telaim; dyqind mijë këmbësorë dhe dhjetë mijë njerëz të Judës.

5. Sauli erdhi në qytetin e Amalekut dhe zuri pritë në luginë.

6. pastaj Sauli u tha kenenjve: "Shkoni, tërhiquni, dilni jashtë amalekitëve, që të mos ju shkatërrojë bashkë me ta, sepse ju u treguat të mëshirshëm me të gjithë bijtë e Izraelit kur po dilnin nga Egjipti". Kështu kenenjtë u tërhoqën nga radhët e amalekitëve.

7. Sauli i mundi amalekitët nga Havilahu deri në Shur, që ndodhet përballë Egjiptit.

8. Ai e zuri të gjallë Agagun, mbretin e amalekitëve, dhe vendosi shfarosjen e të gjithë popullit, duke i vrarë me shpatë.

9. Por Sauli dhe populli kursyen Agagun dhe pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve, të kafshëve të majme, të qengjave dhe të kafshëve më të mira, duke mos vendosur shkatërrimin e tyre; por vendosën zhdukjen e tërë sendeve që ishin të një cilësie të dobët dhe pa asnjë vlerë.

10. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Samuelit, duke i thënë:

11. "Unë jam penduar që e kam bërë Saulin mbret, sepse ai është larguar nga unë dhe nuk ka zbatuar urdhrat e mia". Samueli u trishtua dhe i klithi tërë natën Zotit.

12. Në mëngjes herët Samueli u ngrit për t'i dalë përpara Saulit; por erdhën t'i thonë Samuelit: "Sauli ka shkuar në Karmel, dhe i ka ngritur vetes një monument; pastaj është kthyer duke kaluar tutje dhe ka zbritur në Gilgal".

13. Atëherë Samueli shkoi te Sauli dhe ky i tha: "Qofsha i bekuar nga Zoti! Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit".

14. Por Samueli tha: "Ç'është kjo blegërimë dhensh që më vjen në vesh dhe kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 15