Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 14:4-18 Bibla Shqip (ALBB)

4. Ndërmjet kalimeve nëpër të cilat Jonathani kërkonte të arrinte në pozicionin e filistenjve, kishte një shkëmb që ngrihej nga një anë dhe një shkëmb që ngrihej nga ana tjetër; njëri quhej Botsets dhe tjetri Seneh.

5. Njëri nga shkëmbinjtë ngrihej në veri, përballë Mikmashit dhe tjetri në jug, përballë Gibeahut.

6. Jonathani i tha shqytarit të ri: "Eja, shkojmë drejt pozicioneve të këtyre të parrethprerëve; ndofta Zoti ka për të vepruar në favorin tonë, sepse asgjë nuk e pengon Zotin të sigurojë shpëtimin me shumë ose me pak njerëz".

7. Shqytari i tij iu përgjigj: "Bëj ç'ke për zemër; shko përpara; jam gati të shkoj me ty ku ta dëshirojë zemra jote".

8. Atëherë Jonathani tha: "Ja, ne do të shkojmë drejt atyre njerëzve dhe do t'i bëjmë që të na shohin.

9. Po të na thonë: "Ndaluni derisa t'ju arrijmë", ne do të qëndrojmë në vend dhe nuk do të shkojmë tek ata;

10. por në rast se na thonë: "Ejani te ne", ne do të shkojmë, sepse Zoti i ka dhënë në duart tona; dhe kjo do të na shërbejë si shenjë".

11. Kështu të dy u panë nga garnizoni i filistenjve; dhe filistenjtë thanë: "Ja hebrenjtë që po dalin nga shpellat ku ishin fshehur!".

12. Pastaj njerëzit e garnizonit iu kthyen Jonathanit dhe shqytarit të tij dhe thanë: "Ejani te ne se kemi diçka për t'ju thënë". Atëherë Jonathani i tha shqytarit të tij: "Eja pas meje, sepse Zoti i ka dhënë në duart e Izraelit".

13. Jonathani u ngjit duke u kacavarur me duar dhe me këmbë, i ndjekur nga shqytari i tij. Filistenjtë binin përpara Jonathanit, dhe shqytari pas tij i vriste.

14. Kjo qe masakra e parë e kryer nga Jonathani dhe nga shqytari i tij; në të humbën jetën rreth njëzet veta, në një sipërfaqe prej rreth gjysmë jugeri tokë.

15. Tmerri u përhap në kamp, në fshatra dhe në gjithë popullin; edhe garnizoni dhe cubat u trembën gjithashtu; bile edhe toka u drodh dhe u shndërrua kështu në një llahtarë të Perëndisë.

16. Rojet e Saulit në Gibeah të Beniaminit vështruan dhe panë që turma po shpërndahej dhe po ikte sa andej këtej.

17. Atëherë Sauli u tha njerëzve që ishin me të: "Bëni apelin për të parë se kush ka ikur nga ne". U bë apeli, dhe ja, mungonin Jonathani dhe shqytari i tij.

18. Atëherë Sauli i tha Ahijaut: "Afroje arkën e Perëndisë!" (sepse në atë kohë arka e Perëndisë ishte me bijtë e Izraelit).

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 14