Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 12:17-25 Bibla Shqip (ALBB)

17. A nuk jemi vallë në kohën e korrjes së grurit? Unë do të kërkoj ndihmën e Zotit dhe ai do të dërgojë bubullima dhe shi; kështu do të kuptoni dhe do të shihni se e keqja që keni bërë duke kërkuar një mbret për ju, është e madhe në sytë e Zotit".

18. Atëherë Samueli kërkoi ndihmën e Zotit dhe ai dërgoi atë ditë bubullima dhe shi; dhe tërë populli pati një frikë të madhe nga Zoti dhe nga Samueli.

19. Pastaj tërë populli i tha Samuelit: "Lutju Zotit, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu, që të mos vdesin, sepse tërë mëkateve tona u kemi shtuar të keqen e kërkimit të një mbreti për ne".

20. Samueli iu përgjigj popullit: "Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe, mos lini së ndjekuri Zotin, por shërbejini Zotit me të gjithë zemrën tuaj.

21. Mos u largoni për të ndjekur gjëra të kota, që nuk vlejnë as çlirojnë, sepse janë gjëra të kota.

22. Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t'ju bëjë popullin e vet.

23. Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mëkatoj kundër Zotit duke hequr dorë nga lutjet për ju; përkundrazi, do t'ju tregoj rrugën e mirë dhe të drejtë.

24. Vetëm kini frikë nga Zoti dhe i shërbeni besnikërisht me gjithë zemër; mbani parasysh gjërat e mëdha që ka bërë për ju.

25. Por në rast se vazhdoni të bëni të keqen, si ju ashtu dhe mbreti juaj do të flakeni tutje".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 12