kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj amoniti Nahash shkoi të ngrejë kampin kundër Jabeshit të Galaadit. Atëherë tërë ata të Jabeshit i thanë Nahashit: "Lidh aleancë me ne dhe ne do të të shërbejmë".

2. Amoniti Nahash iu përgjigj kështu: "Unë do të bëj aleancë me ju me këtë kusht: t'ju nxjerr syrin e djathtë të gjithëve për të poshtëruar tërë Izraelin.

3. Pleqtë e Jabeshit i thanë: "Na jep shtatë ditë kohë që të dërgojmë lajmëtarë në tërë territorin e Izraelit; dhe në qoftë se nuk vjen asnjeri për të na shpëtuar, do të dorëzohemi në duart e tua".

4. Kështu lajmëtarët arritën në Gibeah të Saulit dhe i njoftuan këto fjalë para popullit; atëherë tërë populli ngriti zërin dhe qau.

5. Ndërkaq Sauli po kthehej nga fshati pas qeve të tij. Dhe Sauli tha: "Çfarë ka populli që qan?". I njoftoi atëherë fjalët e njerëzve të Jabeshit.

6. Me të dëgjuar këto fjalë, Fryma e Perëndisë përfshiu Saulin, zemërimi i të cilit u rrit me të madhe.

7. Ai mori një pendë qesh, i preu qetë copë-copë dhe i dërgoi në të gjithë territorin e Izraelit me anë të lajmëtarëve, duke thënë: "Kështu do të trajtohen qetë, e atij që nuk do të ndjekë Saulin dhe Samuelin". Tmerri i Zotit zuri popullin dhe ai u ngrit si një njeri i vetëm.

8. Sauli i kaloi në revistë në Bezek, dhe ishin treqind mijë bij të Izraelit dhe tridhjetë mijë burra të Judës.

9. Pastaj u thanë lajmëtarëve që kishin ardhur: "Kështu do t'u thoni njerëzve të Jabeshit nga Galaadi: "Nesër, kur dielli të fillojë të ngrohë, do të çliroheni"". Lajmëtarët shkuan t'ua njoftojnë këtë njerëzve të Jabeshit, të cilët u gëzuan.

10. Atëherë njerëzit e Jabeshit u thanë amonitëve: "Nesër do të vijmë tek ju dhe do të bëni ç'të doni me ne".

11. Të nesërmen, Sauli e ndau popullin në tre grupe, të cilët hynë në mes të kampit armik para mëngjesit dhe i grinë amonitët deri në zheg të ditës. Ata që shpëtuan u shpërndanë dhe nuk mbetën as dy veta bashkë.

12. Populli i tha atëherë Samuelit: "Kush ka thënë: "A duhet të mbretërojë Sauli mbi ne?". Na i jepni këta njerëz dhe ne do t'i vrasim".

13. Por Sauli u përgjigj: "Asnjeri nuk do të vritet në këtë ditë, sepse sot Zoti ka realizuar një çlirim të madh në Izrael".

14. Pastaj Samueli i tha popullit: "Ejani, shkojmë në Gilgal dhe aty ta përtërijmë mbretërinë".

15. Kështu tërë populli shkoi në Gilgal dhe aty përpara Zotit në Gilgal e caktuan Saulin mbret. Aty përpara Zotit ofruan flijime falënderimi; dhe po aty Sauli dhe tërë njerëzit e Izraelit u gëzuan shumë.