Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 10:5-16 Bibla Shqip (ALBB)

5. Pastaj ti do të arrish në kodrinën e Perëndisë, ku gjendet garnizoni i filistenjve; dhe këtu, duke arritur në qytet, do të takosh një grup profetësh që do të zbresin nga vendi i lartë, të paraprirë nga një harpë, një dajre, një fyell dhe një qeste, dhe që do të bëjnë profeci.

6. Atëherë Fryma e Zotit do të të ngarkojë të bësh profeci me ta, dhe do të shndërrohesh në një njeri tjetër.

7. Kur këto shenja do të realizohen, bëj atë që rasti kërkon, sepse Perëndia është me ty.

8. Pastaj ti do të zbresësh para meje në Gilgal: dhe ja, unë do të zbres te ti për të ofruar holokauste dhe për të kryer flijime falënderimi. Ti do të presësh shtatë ditë derisa unë të vij te ti dhe të të them çfarë duhet të bësh".

9. Sapo ktheu kurrizin për të lënë Samuelin, Perëndia ia ndërroi zemrën në një tjetër, dhe tërë ato shenja u realizuan po atë ditë.

10. Sapo arritën atje në kodër, një grup profetësh i doli përpara; atëherë ai u ngarkua nga Fryma e Perëndisë dhe filloi të bëjë profeci në mes tyre.

11. Atëherë tërë ata që e kishin njohur më parë, duke parë që profetizonte bashkë me profetët, i thoshin njëri-tjetrit: "Çfarë i ka ndodhur birit të Kishit? Është edhe Sauli midis profetëve?".

12. Pastaj një vendas u përgjigj, duke thënë: "Po kush është ati i tyre?". Për këtë arsye u bë proverb thënia: "Është edhe Sauli midis profetëve?".

13. Me të mbaruar profecitë, Sauli u drejtua në vendin e lartë.

14. Pastaj ungji i Saulit e pyeti atë dhe shërbëtorin e tij: "Ku keni vajtur?". Ai u përgjigj: "Të kërkojmë gomaret, por, duke parë se nuk ishin, shkuam te Samueli".

15. Ungji i Saulit shtoi: "Më trego, të lutem, çfarë ju tha Samueli".

16. Kështu iu përgjigj Sauli ungjit të tij: "Ai na siguroi që gomaret i kishin gjetur". Por nuk tha asgjë lidhur me atë që Samueli kishte thënë për mbretërinë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 10