Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 10:16-27 Bibla Shqip (ALBB)

16. Kështu iu përgjigj Sauli ungjit të tij: "Ai na siguroi që gomaret i kishin gjetur". Por nuk tha asgjë lidhur me atë që Samueli kishte thënë për mbretërinë.

17. Pastaj Samueli mblodhi popullin para Zotit në Mitspah,

18. dhe u tha bijve të Izraelit: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë e nxora Izraelin nga Egjipti dhe ju çlirova nga duart e egjiptasve dhe nga duart e të gjitha mbretërve që ju shtypnin".

19. Por sot ju keni hedhur poshtë Perëndinë tuaj që ju ka shpëtuar nga fatkeqësitë dhe mundimet tuaja dhe i thoni: "Cakto një mbret mbi ne!". Prandaj paraqituni para Zotit sipas fiseve dhe sipas mijësheve".

20. Pastaj Samueli afroi tërë fiset e Izraelit, dhe u zgjodh fisi i Beniaminit.

21. Pas kësaj afroi fisin e Beniaminit sipas familjeve të tij dhe u zgjodh familja e Matrit. Pastaj u zgjodh Sauli, bir i Kishit; e kërkuan, por nuk e gjetën.

22. Atëherë u këshilluan përsëri me Zotin: "A ndodhet tanimë këtu?". Zoti u përgjigj: "Ja ku është fshehur midis bagazheve".

23. Vrapuan ta nxjerrin që andej; kështu ai u paraqit para popullit, dhe ishte më i lartë se gjithë njerëzit nga supi e lart.

24. Pastaj Samueli i tha tërë popullit: "E shihni atë që ka zgjedhur Zoti? Nuk ka asnjë si ai në tërë popullin. Kështu tërë populli lëshoi britma gëzimi dhe thirri: "Rroftë mbreti!".

25. Atëherë Samueli i paraqiti popullit të drejtat e mbretërisë dhe i shkroi në një libër, që vendosi përpara Zotit. Pas kësaj Samueli ktheu tërë popullin, secili shkoi në shtëpinë e tij.

26. Edhe Samueli shkoi në shtëpinë e tij në Gibeah, dhe me të shkuan njerëz trima, të cilëve Perëndia u kish prekur zemrën.

27. Por disa njerëz që nuk vlenin asgjë thanë: "Si mund të na shpëtojë ky njeri?". Kështu e përçmuan dhe nuk i bënë asnjë dhuratë. Por ai nuk tha asnjë fjalë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 10