Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 1:8-20 Bibla Shqip (ALBB)

8. Atëherë burri i saj Elkanahu i tha: "Ana, pse qan? Pse nuk ha? Pse është trishtuar zemra jote? A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?".

9. Pasi hëngrën dhe pinë në Shiloh, Ana u ngrit. Prifti Eli ishte ulur mbi ndenjësen që ndodhet në hyrje të tabernakullit të Zotit.

10. Në trishtimin e shpirtit të saj i lutej Zotit duke qarë me dënesë.

11. Pastaj lidhi një kusht, duke thënë: "O Zot i ushtrive, në se vërtetë interesohesh për fatkeqësinë që i ka rënë shërbëtores sate, në se ti më mban mend mua dhe nuk e harron shërbëtoren tënde, por dëshiron t'i japësh shërbëtores sate një fëmijë mashkull, unë do t'ia jap Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisku nuk ka për të kaluar mbi kokën e tij".

12. Ndërsa ajo e zgjaste lutjen e saj përpara Zotit, Eli shikonte me kujdes gojën e saj.

13. Ana fliste në zemër të saj; vetëm buzët i lëviznin, por zëri saj nuk dëgjohej; pikërisht për këtë Eli mendonte që ishte e dehur.

14. Kështu Eli i tha: "Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë pija!".

15. Por Ana u përgjigj dhe tha: "Jo, imzot, unë jam një grua e vrarë në frymë dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit.

16. Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qenë dhembja dhe hidhërimi i pamasë që më shtynë të flas deri tani".

17. Atëherë Eli iu përgjigj: "Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit të dhëntë atë që i kërkove".

18. Ajo u përgjigj: "Shërbëtorja jote pastë gjetur hirin në sytë e tu". Kështu gruaja iku në rrugën e saj, nisi të ushqehet dhe pamja e saj nuk ishte më e trishtuar.

19. Ata u ngritën herët në mëngjes dhe ranë përmbys përpara Zotit; pastaj u nisën dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu njohu Anën, bashkëshorten e tij, dhe Zoti u kujtua për të.

20. Në kohën e caktuar, Ana mbeti me barrë dhe lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Samuel, duke thënë: "Sepse ia kërkova Zotit".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 1