Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 9:12-27 Bibla Shqip (ALBB)

12. Hirami erdhi nga Tiro për të parë qytetet që i kishte dhënë Salomoni, por nuk i pëlqyen;

13. dhe tha: "Ç'qytete janë këto që më ke dhënë, o vëllai im?". Dhe i quajti "vendi i Kabulit", emër që përdoret edhe sot e kësaj dite.

14. Pastaj Hirami i dërgoi mbretit njëqind e njëzet talente ari.

15. Ky është raporti i punës së detyruar që mbreti Salomon rekrutoi për të ndërtuar shtëpinë e Zotit, shtëpinë e tij, Milon, muret e Jeruzalemit, Hatsorin, Megidon dhe Gezerin.

16. (Faraoni, mbret i Egjiptit, kishte dalë dhe kishte pushtuar Gezerin, i kishte vënë flakën dhe kishte vrarë kanaanenjtë që banonin në qytete; pastaj ia kishte dhënë si prikë vajzës së tij, bashkëshortes së Salomonit).

17. Pastaj Salomoni rindërtoi Gezerin, Beth-Horonin e poshtëm,

18. Baalathin dhe Tadmorin në pjesën e shkretë të vendit,

19. të gjitha qytetet e furnizimit që i përkisin Salomonit, qytetet për qerret e tij, qytetet për kalorësit e tij, të gjitha atë që i pëlqyen Salomonit të ndërtojë në Jeruzalem, në Liban dhe në tërë vendin ku sundonte.

20. Tërë njerëzit që mbetën nga amorenjtë, hitenjtë, perezenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë, që nuk ishin bij të Izraelit,

21. domethënë pasardhësit e tyre që kishin mbetur pas tyre në vend dhe që izraelitët nuk kishin arritur t'i shfarosnin, Salomoni i rekrutoi për punë të detyruar deri në ditën e sotme.

22. Por nga bijtë e Izraelit, Salomoni nuk përdori asnjë për punë të detyruar; ata ishin përkundrazi luftëtarët e tij, shërbëtorët e tij, ministrat e tij, princat e tij, kapedanët e tij, komandantët e qerreve dhe e kalorësve të tij.

23. Shefat e nëpunësve që drejtonin punimet e Salmonit ishin pesëqind e pesëdhjetë veta; ata mbikëqyrnin njerëzit që kryenin punimet.

24. Mbas kalimit të vajzës së Faraonit nga qyteti i Davidit në shtëpinë që Salomoni i kishte ndërtuar, ky u mor me ndërtimin e Milos.

25. Tri herë në vit Salomoni ofronte holokauste dhe flijime falënderimi mbi altarin që kishte ndërtuar për Zotin dhe digjte temjan mbi altarin që ndodhej para Zotit. Kështu e mbaroi tempullin.

26. Mbreti Salomon ndërtoi edhe një flotë në Etsion-Geber, në afërsi të Elathit, mbi bregun e Detit të Kuq, në vendin e Edomit.

27. Hirami dërgoi mbi anijet e flotës shërbëtorët e tij, marinarë që e njihnin detin, me qëllim që të punonin me shërbëtorët e Salomonit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 9