Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 8:52-66 Bibla Shqip (ALBB)

52. Mbaji sytë e hapur ndaj lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjes së popullit tënd të Izraelit, në mënyrë që të plotësosh tërësisht gjithë ato që të kërkojnë,

53. sepse ti i ke veçuar nga të gjithë popujt e tokës që të jenë trashëgimia jote, sipas atyre që ke shpallur me anë të shërbëtorit tënd Moisi, ku nxore nga Egjipti etërit tanë, o Zot, o Zot!".

54. Kur Salomoni mbaroi së drejtuari Zotit tërë këtë lutje dhe kërkesë, ai u ngrit para altarit të Zotit ku ishte gjunjëzuar me duart e shtrira në drejtim të qiellit.

55. Pastaj u ngrit dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit me zë të lartë, duke thënë:

56. "I bekuar qoftë Zoti, që i dha paqe popullit të Izraelit, sipas gjithë atyre premtimeve që kishte bërë; as edhe një fjalë e vetme nuk mbeti pa u zbatuar nga të gjitha premtimet e bëra prej tij me anë të shërbëtorit të tij Moisi.

57. Zoti, Perëndia ynë, qoftë me ne ashtu siç ka qenë me etërit tanë; mos na lëntë dhe mos na braktistë,

58. por t'i kthejë zemrat tona nga ai, me qëllim që ne të ecim në të gjitha rrugët e tij dhe t'u bindeni urdhërimet e tij, statutet e tij dhe dekretet e tij që u ka parashtruar etërve tanë.

59. Këto fjalë, që i kam drejtuar si lutje Zotit, mbetshin pranë Zotit, Perëndisë tonë, ditë e natë, me qëllim që Ai të përkrahë çështjen e shërbëtorit të tij dhe çështjen e popullit të tij, sipas nevojës së përditshme,

60. me qëllim që tërë popujt e dheut të pranojnë që Zoti është Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër veç tij.

61. Le të jetë, pra, zemra juaj e dhënë plotësisht Zotit, Perëndisë tonë, për të ndjekur statutet e tij dhe për të respektuar urdhërimet e tij, si po bëni sot!".

62. Pastaj mbreti dhe tërë Izraeli bashkë me të ofruan flijime përpara Zotit.

63. Salomoni flijoi si flijim falënderimi, që ai i ofroi Zotit, njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë bijtë e Izraelit ia kushtuan shtëpinë e Zotit.

64. Po atë ditë mbreti shenjtëroi pjesën qendrore të oborrit, që ndodhet përpara shtëpisë të Zotit; në fakt atje ai ofroi holokauste, blatimet ushqimore dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit, sepse altari prej bronzi, që ndodhet përpara Zotit, ishte tepër i vogël për të nxënë holokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit.

65. Në atë kohë Salomoni kremtoi një festë përpara Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë Izraeli qe bashkë me të. Me të u bashkua një kuvend i madh njerëzish, të ardhur nga rrethet e Hamathit deri në përruan e Egjiptit, për shtatë ditë dhe për shtatë ditë të tjera, gjithsej për katërmbëdhjetë ditë.

66. Ditën e tetë ai e shpërndau popullin, dhe ata që ishin mbledhur e bekuan mbretin dhe u kthyen në çadrat e tyre të gëzuar dhe me zemër të kënaqur për tërë të mirat që Zoti u kishte bërë shërbëtorit të tij David dhe Izraelit, popullit të tij.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 8