Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 8:3-16 Bibla Shqip (ALBB)

3. Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe priftërinjtë morën arkën;

4. dhe çuan lart arkën e Zotit, çadrën e mbledhjeve dhe tërë orenditë e shenjta që ishin në çadër. Priftërinjtë dhe levitët i mbartën këto gjëra.

5. Mbreti Salomon dhe tërë asambleja e Izraelit, e mbledhur rreth tij, u mblodhën bashkë me të përpara arkës dhe flijuan një numër aq të madh delesh dhe qesh, që nuk mund të numëroheshin as të llogariteshin.

6. Pastaj priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes të Zotit në vendin e saj, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve.

7. Në fakt kerubinët i shtrinin krahët e tyre mbi vendin e arkës dhe mbulonin nga lart arkën dhe shufrat e saj.

8. Shufrat ishin aq të gjata sa që skajet e tyre dukeshin nga vendi i shenjtë, përpara shenjtërores, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato kanë mbetur atje deri në ditën e sotme.

9. Në arkë nuk kishte asgjë tjetër veç dy pllakave prej guri që Moisiu kishte depozituar në malin Horeb, kur Zoti bëri një besëlidhje me bijtë e Izraelit, pas daljes së tyre nga vendi i Egjiptit.

10. Por ndodhi që, ndërsa priftërinjtë po dilnin nga vendi i shenjtë, reja e mbushi shtëpinë e Zotit,

11. dhe priftërinjtë nuk mundën të qëndrojnë për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e tij.

12. Atëherë Salomoni tha: "Zoti ka thënë se do të banojë në një re të dendur.

13. Unë kam ndërtuar për ty një shtëpi madhështore, një vend ku ti do të banosh përgjithnjë".

14. Pastaj mbreti u kthye dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit, ndërsa tërë asambleja e Izraelit rrinte në këmbë.

15. Dhe tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që i ka premtuar me gojën e tij atit tim David dhe që e ka mbajtur premtimin e dhënë me anë të fuqisë së tij, duke thënë:

16. "Nga dita që nxora popullin tim të Izraelit nga Egjipti, unë nuk kam zgjedhur asnjë qytet midis tërë fiseve të Izraelit për të ndërtuar një shtëpi, ku emri im të qëndronte, por kam zgjedhur Davidin që të mbretërojë mbi popullin tim të Izraelit".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 8