Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 8:26-37 Bibla Shqip (ALBB)

26. Prandaj të lutem tani, o Perëndi i Izraelit, të plotësosh fjalën që i ke thënë shërbëtorit tënd David, atit tim!

27. Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!

28. Megjithatë o Zot, Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënde dhe kërkesën e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje.

29. Sytë e tu u drejtofshin natë e ditë në këtë tempull, drejt vendit për të cilin ke thënë: "Aty do të jetë emri im", për të dëgjuar lutjen që shërbëtori yt do të të bëjë duke t'u drejtuar nga ky vend.

30. Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t'u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal.

31. Në qoftë se dikush mëkaton kundër të afërmit të tij dhe, duke qenë i detyruar të betohet, vjen të betohet para altarit tënd në këtë tempull,

32. ti dëgjoje nga qielli, ndërhy dhe gjyko shërbëtorët e tu; dëno fajtorin, duke bërë që të bjerë mbi kokën e tij sjellja e tij dhe shpalle të drejtë të pafajshmin duke i dhënë atë që i takon sipas së drejtës së tij.

33. Kur populli yt i Izraelit do të mundet para armikut sepse ka mëkatuar kundër teje, në rast se kthehet te ti dhe lavdëron emrin tënd, në rast se të lutet dhe të përgjërohet në këtë tempull,

34. ti dëgjoje nga qielli dhe fale mëkatin e popullit tënd të Izraelit, dhe ktheje në vendin që u ke dhënë etërve të tyre.

35. Kur qielli do të mbyllet dhe nuk do të ketë më shi sepse kanë mëkatuar kundër teje, në qoftë se luten duke t'u drejtuar nga ky vend, në qoftë se lavdërojnë emrin tënd dhe heqin dorë nga mëkati i tyre sepse i ke dëshpëruar shumë,

36. ti dëgjoji nga qielli, fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd të Izraelit, duke u treguar rrugën e mirë nëpër të cilën duhet të ecin, dhe dërgo shiun mbi tokën që i ke dhënë si trashëgimi popullit tënd.

37. Kur vendi të preket nga zia e bukës ose murtaja, nga ndryshku apo nga bloza, nga një dyndje karkalecash dhe krimbash, kur armiku ta rrethojë popullin tënd në vendin e qyteteve të tua, kur të shpërthejë një fatkeqësi apo një epidemi çfarëdo,

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 8