20. Kështu Zoti e mbajti fjalën që kishte thënë; dhe unë zura vendin e Davidit, atit tim, u ula mbi fronin e Izraelit, ashtu si kishte thënë Zoti, dhe ndërtova tempullin në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit.
21. Atje kam përgatitur një vend për arkën, në të cilën ndodhet besëlidhja e Zotit, që ai lidhi me etërit tanë kur i nxori nga vendi i Egjiptit".
22. Pastaj Salomoni u vendos para altarit të Zotit, përballë tërë asamblesë së Izraelit, shtriu duart në drejtim të qiellit
23. dhe tha: "O Zot, Perëndia i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as atje lart në qiell, as këtu poshtë në tokë! Ti e ruan besëlidhjen dhe tregohesh shpirtmadh me shërbëtorët e tu që ecin para teje me gjithë zemër.
24. Ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, ti mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.
25. Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i kishe bërë Davidit, atit tim, duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjëri nga ata që ulen para teje mbi fronin e Izraelit nëse bijtë e tu do të kenë kujdes sjelljen e tyre dhe të ecin para meje si ke ecur ti".
26. Prandaj të lutem tani, o Perëndi i Izraelit, të plotësosh fjalën që i ke thënë shërbëtorit tënd David, atit tim!
27. Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!
28. Megjithatë o Zot, Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënde dhe kërkesën e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje.
29. Sytë e tu u drejtofshin natë e ditë në këtë tempull, drejt vendit për të cilin ke thënë: "Aty do të jetë emri im", për të dëgjuar lutjen që shërbëtori yt do të të bëjë duke t'u drejtuar nga ky vend.
30. Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t'u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal.
31. Në qoftë se dikush mëkaton kundër të afërmit të tij dhe, duke qenë i detyruar të betohet, vjen të betohet para altarit tënd në këtë tempull,