Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 7:26-37 Bibla Shqip (ALBB)

26. Ai kishte trashësinë e një pëllëmbe; buza e tij ishte si buza e një kupe, si lulja e një zambaku: ai përmbante dy mijë bate.

27. Bëri gjithashtu dhjetë qerrëza prej bronzi, secila e gjatë katër kubitë, e gjerë katër kubitë dhe e lartë tre kubitë.

28. Qerrëzat ishin ndërtuar si vijon: kishin panele anësore dhe këto mbylleshin me anë të kornizave.

29. Mbi panelet, që ishin midis kornizave, ishin përfytyruar luanë, qe dhe kerubinë. Mbi kornizat mbështetej një piedestal, ndërsa sipër dhe poshtë luanëve dhe qeve kishte kurora në formë vargjesh zbukurues.

30. Çdo qerre e vogël kishte katër rrota prej bronzi me boshtet gjithashtu prej bronzi; katër këmbët e tyre kishin disa spaleta poshtë vazos, dhe spaletat ishin bërë me derdhje, me kurora në anët e secilës prej tyre.

31. Hapja e saj, në pjesën e brendshme të kurorës dhe në pjesën e saj të lartë, ishte e rrumbullakët; ishte e thellë një kubit, kishte formën e një piedestali dhe një diametër prej një kubit e gjysmë; edhe rreth hapjes kishte skulptura, por panelet ishin katrorë dhe jo të rrumbullakët.

32. Katër rrotat ishin nën panelet dhe boshtet e rrotave ishin fiksuar në bazë. Lartësia e çdo rrote ishte një kubit e gjysmë.

33. Punimi i rrotave ishte si ai i një qerreje. Boshtet, rrathët, rrezet dhe bucelat ishin të gjitha prej bronzi të derdhur.

34. Në të katër qoshet e çdo qerreje kishte katër spaleta, që përbënin një të tërë me vetë qerren.

35. Në majë të qerres kishte një mbajtëse të rrumbullakët, e cila ishte gjysmë kubit e lartë; dhe në majë të qerres, kornizat dhe panelet e saj përbënin një tërësi me të.

36. Mbi sipërfaqen e kornizave dhe të paneleve të saj, Hirami gdhendi kerubinë, luanë dhe palma, sipas hapësirave të lira, dhe kurora rreth e qark.

37. Kështu ai veproi me të dhjetë qerret, që u derdhën të gjitha njëlloj me po ato madhësi dhe po atë formë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 7