Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 7:19-34 Bibla Shqip (ALBB)

19. Kapitelet që ishin në majë të shtyllave në portik kishin formën e zambakut dhe qenë katër kubitësh.

20. Përveç kësaj mbi kapitelet në majë të të dy kolonave, mbi pjesën e mysët afër rrjetëzës, kishte dyqind shegë të vëna me radhë rreth e qark.

21. Pastaj vendosi shtyllat në portikun e tempullit; vendosi shtyllën në të djathtë dhe e quajti Jakin, pastaj vendosi shtyllën në të majtë dhe e quajti Boaz.

22. Në majë të shtyllave kishte një punim në formë zambaku. Kështu mbaroi punimi i shtyllave.

23. Pastaj bëri detin me metal të shkrirë, në formë rrethore, që nga një buzë në buzën tjetër kishte një gjatësi prej dhjetë kubitësh; lartësia e tij ishte pesë kubitë dhe rrethi ishte tridhjetë kubitë.

24. Nën buzë dhe rreth e qark detit kishte kolokuintide zbukuruese, dhjetë në çdo kubit; kolokuintidet zbukuruese ishin vendosur në dy radhë dhe ishin bërë me derdhje.

25. Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë qe, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja; deti ishte vënë mbi ta dhe pjesët e tyre të prapme ishin të kthyera nga brenda.

26. Ai kishte trashësinë e një pëllëmbe; buza e tij ishte si buza e një kupe, si lulja e një zambaku: ai përmbante dy mijë bate.

27. Bëri gjithashtu dhjetë qerrëza prej bronzi, secila e gjatë katër kubitë, e gjerë katër kubitë dhe e lartë tre kubitë.

28. Qerrëzat ishin ndërtuar si vijon: kishin panele anësore dhe këto mbylleshin me anë të kornizave.

29. Mbi panelet, që ishin midis kornizave, ishin përfytyruar luanë, qe dhe kerubinë. Mbi kornizat mbështetej një piedestal, ndërsa sipër dhe poshtë luanëve dhe qeve kishte kurora në formë vargjesh zbukurues.

30. Çdo qerre e vogël kishte katër rrota prej bronzi me boshtet gjithashtu prej bronzi; katër këmbët e tyre kishin disa spaleta poshtë vazos, dhe spaletat ishin bërë me derdhje, me kurora në anët e secilës prej tyre.

31. Hapja e saj, në pjesën e brendshme të kurorës dhe në pjesën e saj të lartë, ishte e rrumbullakët; ishte e thellë një kubit, kishte formën e një piedestali dhe një diametër prej një kubit e gjysmë; edhe rreth hapjes kishte skulptura, por panelet ishin katrorë dhe jo të rrumbullakët.

32. Katër rrotat ishin nën panelet dhe boshtet e rrotave ishin fiksuar në bazë. Lartësia e çdo rrote ishte një kubit e gjysmë.

33. Punimi i rrotave ishte si ai i një qerreje. Boshtet, rrathët, rrezet dhe bucelat ishin të gjitha prej bronzi të derdhur.

34. Në të katër qoshet e çdo qerreje kishte katër spaleta, që përbënin një të tërë me vetë qerren.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 7