Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 6:5-19 Bibla Shqip (ALBB)

5. Pranë murit të tempullit ai ndërtoi dhoma që rrethonin tërë murin e tempullit, si vendin e shenjtë ashtu dhe vendin shumë të shenjtë; kështu ai bëri dhoma anësore rreth e qark.

6. Dhomat e katit të parë ishin të gjera pesë kubitë, ato të katit të mesëm gjashtë kubitë dhe ato të katit të tretë shtatë kubitë; në fakt ai kishte ndërtuar dalje rreth e rrotull mureve të tempullit, në mënyrë që trarët e mbështetjes të mos futeshin në muret e tempullit.

7. Për ndërtimin e tempullit u përdorën gurë që ishin latuar në gurore; kështu gjatë ndërtimit të tempullit nuk u dëgjua zhurma e çekiçit, e sëpatës ose e ndonjë vegle tjetër prej hekuri.

8. Hyrja e katit të parë gjendej në krahun e djathtë të tempullit; kështu me anë të një shkalle në trajtë spirale hipje në katin e mesëm, dhe nga kati i mesëm në të tretin.

9. Mbasi përfundoi ndërtimin e tempullit, Salomoni e mbuloi me trarë dhe me dërrasa cedri.

10. Ndërtoi katet anësore me dhoma rreth e qark tempullit, secili i lartë pesë kubitë, dhe i lidhi me tempullin me trarë cedri.

11. Fjala e Zotit iu drejtua Salomonit, duke i thënë:

12. "Për këtë tempull që po më ndërton, në qoftë se ti u përmbahesh statuteve të mia, zbaton në praktikë dekretet e mia dhe u bind të gjitha urdhërimeve të mia duke ecur në to unë do të përmbush me ty premtimin që i dhashë Davidit, atit tënd:

13. do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe nuk do ta braktis popullin tim të Izraelit".

14. Kështu Salomoni ndërtoi tempullin dhe e përfundoi.

15. Pastaj ndërtoi muret ndarës të tempullit me dërrasa të cedrit; dhe nga dyshemeja e tempullit deri në tavan e veshi nga brenda me dru; pastaj e mbuloi dyshemenë e tempullit me dërrasa qiparisi.

16. Veshi gjithashtu me dërrasa cedri një hapësirë prej njëzet kubitësh në fund të tempullit, nga dyshemeja deri në tavan; dhe këtë hapësirë të brendshme e rezervoi si shenjtërore, si një vend shumë të shenjtë.

17. Shtëpia, domethënë tempulli, përpara vendit shumë të shenjtë ishte e gjatë dyzet kubitë.

18. Pjesa e brendshme e tempullit ishte prej cedri të gdhendur me sfera dhe me lule të çelura; çdo gjë ishte prej cedri dhe nuk dukej asnjë gur.

19. Salomoni e përgatiti vendin shumë të shenjtë në pjesën e brendshme të tempullit, për të vënë aty arkën e besëlidhjes të Zotit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 6