14. Kështu Salomoni ndërtoi tempullin dhe e përfundoi.
15. Pastaj ndërtoi muret ndarës të tempullit me dërrasa të cedrit; dhe nga dyshemeja e tempullit deri në tavan e veshi nga brenda me dru; pastaj e mbuloi dyshemenë e tempullit me dërrasa qiparisi.
16. Veshi gjithashtu me dërrasa cedri një hapësirë prej njëzet kubitësh në fund të tempullit, nga dyshemeja deri në tavan; dhe këtë hapësirë të brendshme e rezervoi si shenjtërore, si një vend shumë të shenjtë.
17. Shtëpia, domethënë tempulli, përpara vendit shumë të shenjtë ishte e gjatë dyzet kubitë.
18. Pjesa e brendshme e tempullit ishte prej cedri të gdhendur me sfera dhe me lule të çelura; çdo gjë ishte prej cedri dhe nuk dukej asnjë gur.
19. Salomoni e përgatiti vendin shumë të shenjtë në pjesën e brendshme të tempullit, për të vënë aty arkën e besëlidhjes të Zotit.
20. Vendi shumë i shenjtë ishte njëzet kubitë i gjatë, njëzet kubitë i gjerë dhe njëzet kubitë i lartë. Salomoni e veshi me ar të kulluar; dhe e veshi altarin me cedër.
21. Kështu Salomoni e veshi pjesën e brendshme të tempullit me ar të kulluar, shtriu zinxhirë ari përpara vendit shumë të shenjtë dhe e veshi me ar.
22. Veshi me ar tërë tempullin derisa mbaroi së ndërtuari dhe veshi me ar gjithashtu tërë altarin që i takonte vendit shumë të shenjtë.
23. Në pjesën e brendshme të vendit shumë të shenjtë bëri dy kerubinë me dru ulliri, që ishin dhjetë kubitë të lartë.
24. Krahu i një kerubini ishte pesë kubitë dhe tjetri ishte gjithashtu pesë kubitë; kishte, pra, dhjetë kubitë nga maja e një krahu deri te maja e tjetrit.
25. Edhe kerubini tjetër ishte dhjetë kubitësh; të dy kerubinët kishin po ato përmasa dhe po atë formë.
26. Lartësia e një kerubini ishte dhjetë kubitë po kështu edhe ajo e kerubinit tjetër.
27. Salomoni i vendosi kerubinët në mes të vendit shumë të shenjtë. kerubinët i kishin krahët të hapur; krahu i të parit prekte njërin mur ndarës dhe krahu i të dytit prekte murin tjetër; krahët e tyre të brendshme takoheshin në mes të shtëpisë.
28. Pastaj i veshi me ar kerubinët.
29. Pastaj riprodhoi mbi të gjitha muret ndarës të tempullit, rreth e qark, figura në reliev kerubinësh, palma dhe lule të çelura, si brenda ashtu dhe jashtë.
30. Pastaj veshi me ar dyshemenë e tempullit, si nga brenda ashtu dhe nga jashtë.
31. Për të hyrë në vendin tepër të shenjtë bëri një portë me dy kanate me dru ulliri; arkitrau dhe shtalkat zinin një të katërtën e murit.