Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 6:11-23 Bibla Shqip (ALBB)

11. Fjala e Zotit iu drejtua Salomonit, duke i thënë:

12. "Për këtë tempull që po më ndërton, në qoftë se ti u përmbahesh statuteve të mia, zbaton në praktikë dekretet e mia dhe u bind të gjitha urdhërimeve të mia duke ecur në to unë do të përmbush me ty premtimin që i dhashë Davidit, atit tënd:

13. do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe nuk do ta braktis popullin tim të Izraelit".

14. Kështu Salomoni ndërtoi tempullin dhe e përfundoi.

15. Pastaj ndërtoi muret ndarës të tempullit me dërrasa të cedrit; dhe nga dyshemeja e tempullit deri në tavan e veshi nga brenda me dru; pastaj e mbuloi dyshemenë e tempullit me dërrasa qiparisi.

16. Veshi gjithashtu me dërrasa cedri një hapësirë prej njëzet kubitësh në fund të tempullit, nga dyshemeja deri në tavan; dhe këtë hapësirë të brendshme e rezervoi si shenjtërore, si një vend shumë të shenjtë.

17. Shtëpia, domethënë tempulli, përpara vendit shumë të shenjtë ishte e gjatë dyzet kubitë.

18. Pjesa e brendshme e tempullit ishte prej cedri të gdhendur me sfera dhe me lule të çelura; çdo gjë ishte prej cedri dhe nuk dukej asnjë gur.

19. Salomoni e përgatiti vendin shumë të shenjtë në pjesën e brendshme të tempullit, për të vënë aty arkën e besëlidhjes të Zotit.

20. Vendi shumë i shenjtë ishte njëzet kubitë i gjatë, njëzet kubitë i gjerë dhe njëzet kubitë i lartë. Salomoni e veshi me ar të kulluar; dhe e veshi altarin me cedër.

21. Kështu Salomoni e veshi pjesën e brendshme të tempullit me ar të kulluar, shtriu zinxhirë ari përpara vendit shumë të shenjtë dhe e veshi me ar.

22. Veshi me ar tërë tempullin derisa mbaroi së ndërtuari dhe veshi me ar gjithashtu tërë altarin që i takonte vendit shumë të shenjtë.

23. Në pjesën e brendshme të vendit shumë të shenjtë bëri dy kerubinë me dru ulliri, që ishin dhjetë kubitë të lartë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 6