Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 5:7-18 Bibla Shqip (ALBB)

7. Kur Hirami i dëgjoi fjalët e Salomonit, u gëzua së tepërmi dhe tha: "Qoftë i bekuar sot Zoti, që i ka dhënë Davidit një bir të urtë për të mbretëruar mbi këtë popull të madh".

8. Pastaj Hirami dërgoi t'i thotë Salomonit: "E shqyrtova me kujdes mesazhin që më çove. Unë do të bëj të gjitha ato që dëshiron ti lidhur me lëndën e cedrit dhe të qiparisit.

9. Shërbëtorët e mi do t'i sjellin nga Libani deri në det dhe do t'i transportojnë që andej me trap deri në vendin që ti do të më tregosh; pastaj do t'i shkarkojnë atje dhe ti do t'i çosh tutje. Si shpërblim, ti do të plotësosh dëshirën time, duke furnizuar me ushqime shtëpinë time".

10. Kështu Hirami e furnizoi Salomonin me tërë lëndën e cedrit dhe të qiparisit që ai kishte nevojë.

11. Salomoni nga ana e tij e furnizoi Hiramin me njëzet mijë kore gruri për të mbajtur shtëpinë e tij dhe njëzet kore vaj të pastër ulliri; Salomoni i jepte Hiramit çdo vit tërë këto gjëra.

12. Zoti i dha dituri Salomonit, ashtu siç ia kishte premtuar; kështu mbretëroi paqja midis Hiramit dhe Salomonit, dhe të dy bënë aleancë.

13. Mbreti Salomon rekrutoi njerëz për punë të detyruar në tërë Izraelin, dhe ata që u caktuan për punë të detyruar ishin tridhjetë mijë njerëz.

14. I dërgonte me turne në Liban nga dhjetë mijë në muaj; kalonin një muaj në Liban dhe dy muaj në shtëpitë e tyre; Adonirami ishte drejtuesi i punimeve të detyruara.

15. Salomoni kishte gjithashtu shtatëdhjetë mijë njerëz që transportonin ngarkesa dhe tetëdhjetë mijë gurgdhendës në male,

16. pa llogaritur tremijë e treqind përgjegjës të caktuar nga Salomoni për veprimtaritë e ndryshme dhe për të mbikëqyrur personat e caktuar në punimet.

17. Mbreti urdhëroi të nxirreshin gurë të mëdhenj, gurë me vlerë dhe gurë katërkëndësh për të bërë themelet e tempullit.

18. Kështu punëtorët e Salomonit dhe punëtorët e Hiramit dhe giblenjtë nxorën gurët, dhe përgatitën lëndën e drurit dhe gurët për ndërtimin e tempullit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 5