Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 3:13-24 Bibla Shqip (ALBB)

13. Po të jap edhe atë që nuk ke kërkuar: pasuri dhe lavdi, kështu që midis mbretërve nuk do të ketë asnjë si ti, për të gjitha ditët e jetës sate.

14. Në rast se ti ecën në rrugët e mia duke iu bindur statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu si bëri Davidi, ati yt, unë kam për t'i zgjatur ditët e tua".

15. Salomoni u zgjua, dhe ja, ishte në ëndërr. Atëherë ai u kthye në Jeruzalem, u paraqit para arkës së besëlidhjes të Zotit, ofroi holokauste dhe flijime falënderimi, dhe shtroi një banket për të tërë shërbëtorët e tij.

16. Pastaj erdhën te mbreti dy prostituta dhe u paraqitën para tij.

17. Një nga të dy gratë tha: "O imzot, kjo grua dhe unë banojmë në të njëjtën shtëpi; unë linda kur ajo ishte akoma në shtëpi.

18. Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua; dhe nuk kishte njeri tjetër në shtëpi përveç ne të dyjave.

19. Djali i kësaj gruaje vdiq natën, sepse ajo kishte rënë në shtrat sipër tij.

20. Atëherë ajo u ngrit në mes të natës, mori djalin tim nga krahu im, ndërsa shërbëtorja jote po flinte, dhe e vuri mbi gjirin e saj, dhe mbi gjirin tim vendosi djalin e saj të vdekur.

21. Kur në mëngjes u ngrita për t'i dhënë gji djalit tim, pashë që kishte vdekur; por kur e këqyra me kujdes në mëngjes, pashë që nuk ishte djali që kisha lindur".

22. Atëherë gruaja tjetër tha: "Nuk është e vërtetë; djali im është ai që jeton, dhe yti është ai i vdekur". Por e para nguli këmbë: "Nuk është e vërtetë; yt bir është ai vdekur dhe imi është ai i gjallë". Kështu grindeshin përpara mbretit.

23. Atëherë mbreti tha: "Njëra thotë: "Ai i gjallë është djali im dhe ai i vdekur është yti". Dhe tjetra thotë: "Nuk është e vërtetë; ai i vdekur është djali yt dhe ai i gjallë është imi"".

24. Atëherë mbreti urdhëroi: "Më sillni një shpatë!". Kështu sollën një shpatë para mbretit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 3