Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 22:30-46 Bibla Shqip (ALBB)

30. Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "Unë do të ndërroj petkat që të mos njihem dhe pastaj do të shkoj të luftoj; por ti vish rrobat e tua mbretërore". Kështu mbreti i Izraelit u vesh me rroba të tjera dhe shkoi të luftojë.

31. Mbreti i Sirisë u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy kapitenëve të qerreve të tij, duke thënë: "Mos luftoni kundër askujt, i madh apo i vogël qoftë; por vetëm kundër mbretit të Izraelit".

32. Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: "Ky është me siguri mbreti i Izraelit". Dhe u kthyen nga ai për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një ulërimë.

33. Kur kapitenët e qerreve e kuptuan që nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.

34. Por një njeri lëshoi rastësisht shigjetë me harkun e tij dhe goditi mbretin e Izraelit midis sythave të parzmores të tij; prandaj mbreti i tha karrocierit: "Kthehu dhe më ço jashtë rrëmujës, sepse jam i plagosur".

35. Por beteja qe aq e ashpër atë ditë, sa që mbreti u detyrua të qëndrojë në qerren e tij përpara sirëve, dhe vdiq aty nga mbrëmja; gjaku i plagës kishte rrjedhur në fund të qerres.

36. Kur po ngrysej, një ulërimë përshkoi radhët e ushtrisë: "Secili të kthehet në qytetin e vet, secili në fshatin e tij!".

37. Kështu mbreti vdiq dhe u çua në Samari; pastaj u bë varrimi i mbretit në Samari.

38. Pas kësaj lanë qerren dhe armët në një hauz të Samarisë dhe qentë lëpinë gjakun e tij, sipas fjalës që kishte thënë Zoti.

39. Pjesa tjetër e bëmave të Ashabit, të gjitha ato që ai bëri, shtëpia e fildishtë që ndërtoi dhe tërë qytetet që ngriti a nuk janë të shkruara vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

40. Kështu Ashabin e zuri gjumi me etërit e tij. Në vend të tij mbretëroi Ashaziahu, i biri.

41. Jozafati, bir i Asas, filloi të mbretërojë mbi Judën vitin e katërt të Ashabit, mbret i Izraelit.

42. Jozafati ishte tridhjetë e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Azubah dhe ishte bijë e Shilhit.

43. Ai ndoqi tërë rrugët e Asas, atit të tij, dhe nuk u largua prej tyre, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit. Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën; kështu populli vazhdonte të ofronte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

44. Dhe Jozafati jetonte në paqe me mbretin e Izraelit.

45. Pjesa tjetër e bëmave të Jozafatit, trimëritë e tij dhe luftërat e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

46. Ai zhduku nga vendi mbeturinat e atyre që merreshin me kurvëri dhe, që kishin mbetur nga koha e Asas, atit të tij.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 22